Transmetuar më 03-04-2017, 12:11

Aleksandër Vuçiç arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale që në raundin e parë. Ai u shpall fitues me 55 përqind të votave në këtë garë , ku pjesëmarrës ishin edhe figura të tjera. Ky rezultat nuk ishte shumë surprizues për Vuçiç, pasi edhe në sondashet parazgjedhore ai dilte fitues.

Në fjalimin e tij pas fitores, Vuçiç u shpreh se Serbia do të vijojë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, por pa cenuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën.

“Për mua është e rëndësishme se këto zgjedhje demonstruan se shumica madhore e qytetarëve serbë duan vazhdimin e rrugës europiane, por sigurisht duke mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën”, tha presidenti i ri.

Ai falenderoi Kancelaren Merkel dhe Presidentin Putin me të cilët u takua edhe gjatë fushatës presidenciale. Reagimet nga ana e kandidatëve të tjerë kanë qënë të vakëta nisur edhe nga rezultati i dobët i regjistruar prej tyre./k.k/noa.al