Transmetuar më 02-04-2017, 23:04

Kryeministri Aleksandër Vuçiç ka fituar zgjedhjet presidenciale që u mbajtrën këtë të dielë në Serbi. Ai ka fituar më një diferencë të madhe votash, duke konfirmuar dominimin e tij në vendin ballkanik dhe duke shërbyer si balancues midis Perëndimit dhe Rusisë.

Vucic, 47 vjeç, ka shmanguar një balotazh të mundshëm, pasi ka marrë rreth 55% të votave. Rivali më i afërt i tij, kandidati i opozitës Sasha Jankovic ka marrë vetëm 16.2 për qind të votave, sipas një projeksioni nga grupi i votimit Ipsos.

Vucic pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e shtetit në fund të majit, post i cili është më shumë ceremonial, por Reuters shkruan se ai de facto do të ruaj kontrollin e Partisë Progresive të Serbisë.

Pavarësisht rritjes ekonomike dhe stabilitetit më të madh fiskal, Serbia mbetet e zhytur në varfëri dhe korrupsion. Por për mbështetësit e tij, Vucic është një “dorë e fortë” në një rajon të trazuar.