Transmetuar më 02-04-2017, 19:28

Një djalë i ri shqiptar humbi jetën në orët e para të ditës së sotme (e diel) pasi u qëllua me armë zjarri brenda në makinën e tij. Në foton kryesore shikoni pamje nga vendngjarja.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në orën 22.30 pranë rrugës kombëtare Antistaseos në “Papaflessa 3” në Menidhi të Atikës, raporton bashkëpunëtori i NOA.al në Athinë.

“Persona të panjohur ndoqën me motor një makinë tip “Lancia” në rrugën nacionale. Pasi iu afruan, ata hapën zjarr me breshëri arme duke plagosur rëndë në pjesë të ndryshme të trupit, drejtuesin e mjetit”, – thanë burimet zyrtare të policisë lokale, raporton noa.al.

Viktima mori tre plagë në kraharor dhe në bark. Disa orë më vonë, i riu shqiptar dha shpirt në spitalin publik të Athinës, pasi plagët rezultuan fatale për jetën e tij.

Policia e Atikës thotë se ende nuk ka identifikuar autorët e këtij krimi. Ajo dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje për larje hesapesh, por nuk jep detaje konkrete për të mbështetur këtë pistë. 

Një e përditshme greke, publikoi orët e fundit, foton e shqiptarit të vrarë.

Viktima ishte një shqiptar 35 vjeç, baba i dy fëmijëve.

I ndjeri ishte tregtar makinash. /a.b/noa.al/