Transmetuar më 30-03-2017, 13:15

Pogradec, 30 mars 2017, NOA.al- Një martesë e dështuar por fundi i saj nuk ishte pranuar prej tij, madje insistonte që të bashkohej sërish me ish- gruan.

Demirali Cano, 49 vjeç, banues në fshatin Gurras të Pogradecit në orët e para të ditës së sotme, ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij Dh.Ç., 50 vjeçe, në lagjen nr. 4 Pogradec.

Noa.al zbulon detaje nga ngjarja e rëndë ku mëson se 49- vjeçari jetonte në Greqi dhe prej pak ditësh ishte kthyer në Shqipëri.

Ai kishte shkuar në banesën e ish- gruas e cila jetonte e vetme, në një shtëpi me qera pas ndarjes mes tyre dhe i kishte kërkuar të bashkoheshin.

Në një moment në bisedë e sipër Cano i ka kërkuar celularin për të parë diçka pasi kishte dyshime mos ajo kishte nisur ndonjë lidhje tjetër, por gruaja ka refuzuar.

Ajo i ka thënë se nuk kishte pse t’i jepte llogari pasi prej tre muajsh ishin të ndarë me vendim gjykate dhe nuk kishin më punë bashkë.

Në nxehtësi e sipër ai nisi ta godasë, duke bërë që Dh.Ç., të telefonojë policinë. Në momentin që në banesë vjen policia, 49- vjeçari ka konsumuar një pesticid pemësh të cilin e mbante prej dy ditësh në një shishe në xhep.

Për pasojë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar për mjekim të specializuar në Tiranë. Kjo ishte martesa e dytë e Demiraliut nga e cila çifti nuk kishte fëmijë, ndërsa ai ishte bërë baba nga martesa e parë e tij.

Por duket se ndjenjat për Dh.Ç., ishin aq të forta sa që ishte kthyer enkas nga Greqia me shpresën për t’u bashkuar. Në gjendje të rënduar psikologjike Cano ka ngritur dorë ndaj saj dhe më pas ka pirë helm në tentativë për t’i dhënë fund jetës.

Ndaj 49- vjeçarit vijojnë ende hetimet ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Pogradecit për veprën penale “Dhuna në familje”./a.y/noa.al