Transmetuar më 29-03-2017, 16:47

Në prag të 4 vjetorit të Marrëveshjes të Aleancës për Shqipërinë Europiane, të Prillit 2013

Nga Spartak Braho

Ndoshta shumë gjëra, që do të prekim në këtë shkrim, janë të njohura, por ka ardhur koha dhe domosdoshmëria për t’u rikujtuar.

Shkodër, 1 Prill 2013-

E majta Shqiptare, Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, në konferencën ballkanike të Partisë Socialiste Europiane, deklaruan bashkimin në Aleancën për Shqipërinë Europiane. Së bashku me liderët socialistë europianë dhe ballkanikë përshëndetën Edi Rama dhe Ilir Meta, jo pa entuziazëm për krijimin e këtij bashkëpunimi strategjik në kuadër të një koalicioni, që përgatitej të futej në zgjedhje.

Në 23 Prill të 2013-ës këto dy forca politike firmosën edhe Kartën e Parimeve të Bashkimit, e cila do të ishte edhe juridikisht data e noterizimit të kësaj aleance politike. Duke respektuar me rigorozitet kujtimet për fjalën që mbajtën tashmë dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, “ndërsa Edi Rama prezantoi ftesën" për bashkëpunim qëllimet dhe objektivat e saj, për krijimin e një koalicioni paraelektoral për zgjedhjet e pritshme, analizoi dhe anatemoi edhe  shkaqet që kishin çuar në disa vite, të përçarjes së të majtës Shqiptare.”

Ndërsa Ilir Meta në fjalën e tij, të parë në një optike më strategjike nënvizoi se, “ Bashkimi i të majtës bëhet me synimin dhe në funksion të Integrimit Europian të Shqipërisë. Ky bashkim është një aksion historik politik  i domosdoshëm që bashkon dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim të domosdoshëm… për të hapur një perspektivë të re, e cila do të mbyllë tranzicionin.”

Marrëveshja politike Rama-Meta e Shkodrës, siç u pa në ditët në vijim të pranverës së 2013-ës çliroi një energji shprese mbarë popullore, duket aq e shumëpritur nga shqiptarët, sa “habiti” edhe vetë protagonistët që e ngjizën. Mbi një milion qytetarë në ditën e 23 Qershorit të 2013-ës vendosën ta votonin këtë aleancë, me zemër në dorë. Këto nuk ishin një milion ”shuplaka" ndaj opozitës, siç i pëlqen të thotë sa herë që i vjen rasti Edi Rama, por një “Carta Bianca” mbarë qytetare, në mbështetje të dokumentit të firmosur nga dy liderët kryesorë dhe koalicionit të majtë. Marrëveshja si “Kushtetuta” e bashkëpunimit të dy forcave rrezatonte frymë shprese, që garantonte jo vetëm bashkëqeverisje të suksesshme por, edhe fillimin e reformave të thella në të gjithë planet; ravijëzonte synimin kryesor, përparimin ekonomik të vendit dhe integrimin europian të tij. Ja çfarë deklarohet në dokumentin programatik që shumëkush e ka harruar:

“Me përgjegjësinë e përbashkët historike, për t’i dhënë Shqipërisë sot një forcë të re të progresit si garanci për mirëqeverisjen e vendit, përmes bashkimit të të gjithë socialistëve e të progresistëve, duke nxjerrë mësimet e duhura nga eksperiencat pozitive por edhe nga gabimet e së shkuarës, si edhe duke marrë përsipër barrën e promovimit të idealeve e të ideve të së majtës së re të shekullit XXI : Vendosin; Të bashkohen në kuadrin e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërine Europiane’”

Çfarë mund të thuhet tani pas 4 vitesh për bilancin e kësaj Marrëveshjeje nën dritën e shtrimit të çështjes; a është i nevojshëm rivlerësimi i saj?

Ajo që dua të vë në dukje në këtë rast është fakti se të dy liderët kryesorë, veç e veç janë shprehur pa ekuivok, se do ti qëndrojnë besnikë Marrëveshjes deri në datën e përfundimit të saj, afat ky që përkon njëkohësisht me mandatin 4-vjeçar të bashkëqeverisjes.

Ndërsa Partia Socialiste dhe vetë Edi Rama kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm për një rikonfirmim në vazhdimësi të “Koalicionit për Shqipërinë Europiane”, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta janë shprehur se ky vendim, pra për vazhdimësinë e koalicionit qeverisës, do të merret në forumet drejtuese në ditët në vijim.

Gjykoj se kjo “pritje” që ka ngjallur shumë debate dhe teori konspirative është e lidhur jo vetëm me analizën e realizimit të “Marrëveshjes së Shkodrës” gjatë 4 viteve bashkëqeverisje, ku krahas pozitivitetit ajo u shoqërua edhe me defekte e përplasje, por ka të bëjë sidomos me situatën dhe krizën politike aktuale të stimuluar nga opozita, ku më kryesoret janë kërkesat ultimative për qeveri teknike; bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe vetingut si dhe ideja për të bojkotuar zgjedhjet. Në këtë pikë ajo që dallon Ilir Metën është këmbëngulja, se kapërcimi i tërë këtyre qëndrimeve të opozitës për zgjidhjen e krizës është i lidhur me dialogun me të, si një mënyrë efikase dhe brenda rregullave demokratike për ta nxjerrë nga bunkeri ku ka hyrë e qëndron, pse jo me një budallallëk epik.

Duke mos marrë përsipër të bëj analizën shteruese të mënyrës së realizimit të Marrëveshjes të Prillit 2013, as për të nxjerrë gabimet apo defektet e njërit krah apo tjetrit, gjykoj të vë në dukje se vetë ajo, pati ndonjë defekt që në ngjizje, në hartimin e saj qoftë edhe në përmbajtje e konceptim.

Ajo u formulua si një dokument i “pëlqimi reciprok”, por e pa precizuar në mënyrë konkrete dhe definitive për t’u zbatuar rigorozisht; Nëpërmjet ngritjes së strukturës kontrolluese midis palëve.

Kështu Marrëveshja nuk parashikoi metodikën funksionuese dhe ngritjen e strukturave kontrolluese reciprokisht nga të dyja forcat politike të cilat nuk do të lejonin deformimin për çështjet e vendosura, nga qendra në bazë. Padyshim lipset që këtë analizë faktikisht ta bëjnë në mënyrë shteruese dhe të plotë, vetë të dyja forcat politike, forumet e drejtuesit e tyre; me qetësi e dashuri…

Në këtë rast le të themi dy fjalë shkurtimisht duke nënvijëzuar disa prej defekteve që kanë çeduar edhe për mbarë opinionin publik: Objektivisht disa prej defekteve erdhën për rrjedhojë edhe për faktin se si PS-ja ashtu edhe LSI-ja erdhën në bashkëqeverisje; ndonëse me qasje programore pothuajse të njëjta, por nga rrugë të ndryshme. PS-ja nga një periudhë 8 vjeçare në opozitë, ndërsa LSI-ja nga një kohë 4 vjeçare në koalicionin qeverisës me PD-në. Padyshim që ishte ky faktor që bënte që pjesë të strukturave partiake reciprokisht në bazë, të ishin të “majisura” me mllef e dyshim. Nuk ishte e mjaftueshme vetëm ndarja e dikastereve kryesore; kaq ministra ti, kaq unë; kaq zv.ministra ti e kaq unë etj, etj… pasi në strukturat e bazës pati përplasje, nxitime, xhelozira që sollën edhe emërime të pastudiuara. Kjo “xhelozi” u evidentua më hapur, por edhe here-herë “nën zë” nga disa drejtues të lartë të PS-së. Veçanërisht rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2015 në disa bashki ku kandiduan përfaqësues të LSI-së, nuk u justifikuan në mbështetjen e strukturave të PS-së.

Këto ishin disa nga shkaqet që në strukturat partiake në disa rrethe, u arrit deri edhe në ngritje të tonit e shkëmbime  akuzash reciproke.

Është evidente të theksohet se të dyja partitë u futën në bashkëqeverisje për kryerjen e reformave të rëndësishme. Reforma territoriale hapi siparin e bashkëpunimit të suksesshëm duke vazhduar më pas edhe me reforma të tjera, deri së fundmi te Reforma e Drejtësisë. Por në këtë bashkëpunim disa reforma të ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, arsim shëndetësi etj nuk patën përqasjen e duhur me LSI-në pasi një pjesë e tyre nuk u shtruan në tavolinën e konsultimeve dhe iluminimit reciprok, jo vetëm midis strukturave qeverisëse e parlamentare, por edhe me elektoratin.

Edhe disa veprime tendencioze e manipulative të strukturave ligjzbatuese për të krijuar imazh negativ dhe alibira me synimin njollosjen e përfaqësuesve të LSI-së dobësuan kohezionin. Nuk u vlerësua, por u nënvlerësuan kritikat e LSI-së ndaj fenomenit të kanabizimit të territorit gjatë vitit 2016 dhe u konsideruan këto, si tendencioze. Tek disa ministra të veçantë të saj u vunë re shenja arrogance dhe megalomanie  të “partisë së madhe” që nuk pyet për aleatin e saj kryesor. Edhe veprimi i Partisë Socialiste për futjen ne qeverisje dhe koalicion te PDIU-se ndonëse u tha se ishte lëvizje taktike e Ramës, gjykoj se ishte e motivuar, e pakonsultuar dhe jashtë parimeve të marrëveshjes për Shqipërinë Europiane.

3. Por le të themi se të gjitha këto kanë ndodhur e për rrjedhojë, edhe kanë kaluar por jo pa qejfmbetje. Secila palë ka bagazhin e saj të vërejtjeve, të cilat herë pas here edhe janë thëne me gjysmë zëri, e herë me zë të plotë.

Në pikën 2 të Marrëveshjes së Prillit të 2013-ës shkruhet e zeza mbi të bardhë: “Zhvillimi konstruktiv i bashkëpunimit mes PS e LSI bazohet mbi parimet e kushtetueshmërisë e të ligjshmërisë së të gjithë faktorëve, institucionale, politike e shoqërore, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak”.

Nisur nga premisa e mësipërme, për mendimin tim dhe këtë nuk e them thjesht si politikan dhe deputet i zgjedhur me konsensus nga PS-ja dhe LSI-ja, ky koalicion bashkëqeverisës duhet të vazhdojë të marrë përsipër realizimin e këtyre objektivave. Kjo është parimore. Jemi në kohën e pritshme e të duhur, që kjo pikë e Marrëveshjes e formuluar si një “paragraf kushtetues” i saj, të vihet në axhenden e diskutimit dhe rikonfirmimit, në tryezën e koalicionit për vendimmarrje.

Kjo do të thotë që koalicioni qeverisës PS-LSI, të kalojë me prioritet në zgjidhen e çështjeve të papërfunduara, të kryejë reformën zgjedhore, reformën në drejtësi etj; të zgjidhë krizën që imponohet nga opozita e djathtë dhe kërkesat ultimative të saj, me qëndrim të përbashkët dhe dialog të pandërprerë. Besoj se për këto qëllime të mëdha, edhe në të ardhmen këto dy forca politike të të majtës shqiptare, kanë një rrugë të përbashkët.