Transmetuar më 28-03-2017, 17:41

Tiranë, 28 mars 2017, NOA.al- Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, shprehet skeptike për ecurinë e tyre nëse opozita nuk merr pjesë.

Luan Rama, në cilësinë e nënkryetarit të LSI thotë se pa opozitën nuk ka zgjedhje.

“Nuk e mendon që ka në Shqipëri ndonjë njeri me logjikë arsyetimi racionale, që të mendojë që në 2017 Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje pa opozitën. Natyrisht ka një problem të madh, klasa politike në vend, sepse problemi më i madh është që është vrarë besimi, pra mungesa e besimit e krijon të gjithë këtë situatë, dhe është në përgjegjësinë e mazhorancës të demonstrojë konkretisht, hapa për të rikthyer besimin tek qytetarët në radhë të pare tek opozita, që zgjedhjet do të jenë në përputhje me standardet dhe do të garantojnë, jo vetëm shprehjen reale, por edhe leximin real të vullnetit të popullit”, u shpreh sot Rama, në një prononcim për ‘Vizion Plus’.

Ai shtoi se shqiptarët duhet të ftohen në zgjedhje për të zgjedhur, jo thjesht për të votuar.

Më tej ai deklaron se në politikë asnjëherë kurrë nuk duhet thënë kurrë dhe se gjithmonë ka hapësira ende të pashfrytëzuara për të gjetur zgjidhje dhe për të bërë zgjedhje shumë racionale në të mirë e interes të vendit.

“Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që duhet të udhëheqë të gjithë qëndrimin politik dhe sjelljen politike është interesi i vendit. Çdo interes tjetër nuk mund të prevalojë mbi interesin e vendit dhe ju mos prisni që unë të them atë që nuk do ta thoja kurrë që, mazhoranca, qeverisja apo LSI-ja janë më të rëndësishëm se Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri dhe jo aventurë politike”, deklaroi Luan Rama.

Ndërkohë Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhje për sa kohë që Edi Rama.

Ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi sot se ditën e mërkurë, më 29 mars, ora 12:00, zhvillon mbledhjen ku në rend dite do të shqyrtohet projektvendimi për regjistrimin si subjekt zgjedhor i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor.

Jo më larg se sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi teksa ka shpërndarë leje legalizimi në Libofshë, ka thumbuar LSI-në lidhur me zgjedhjet e 18 qershorit.

Ai tha se Partia Socialiste është e vendosur për t’u futur në zgjedhje dhe do të dalë fituese, qoftë nëse del e vetme, qoftë me LSI.

“Me ose pa LSI, Partia Socialiste është e vendosur te futet ne zgjedhje si forcë fitimtare. Nuk është vendosur ende nga LSI se çfarë do të bëhet në zgjedhjet e qershorit. PS ka shprehur vullnetin për te vazhduar me aleatët për zgjedhjet e 18 qershorit”, tha Ruçi./a.y/noa.al

Konfirmohet/ LSI do hyjë në zgjedhje, nesër regjistrimi në KQZ

Ruçi: Do hyjmë në zgjedhje dhe do fitojmë, me ose pa LSI