Transmetuar më 28-03-2017, 11:11

Pas disa largimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që përfunduan edhe me arrestimin e ish-Drejtorit Artur Zoto, një tjetër drejtues i lartë i këtij institucioni është shkarkuar.

Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, ka firmosur dje shkarkimin nga detyra të Petrit Koshaj, me detyrë Drejtor i Policisë së Burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Mësohet se motivacioni i shkarkimit ka qenë për shkelje të rënda dhe se shkarkimi është përgatitur disa ditë më parë pas disa kontrolleve të ushtruara.

Koshaj u prezantua më 17 dhjetor 2015 nga Ministri i Drejtësisë i atëhershëm Ylli Manjani dhe Artur Zoto.

Petrit Koshaj ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas, ka studiuar pranë Akademisë Ushtarake, dega Zbulim.  

Është trajnuar në fushën e policisë, si për luftën kundër terrorizmit në USA dhe në Rumani, për shërbimet e policisë dhe VIP Protection në Izrael dhe Angli etj.

Pas viteve ’90 ka punuar në Ministrinë e Brendshme me detyra të ndryshme dhe si pjesë e Forcave Speciale Renea. Petrit Koshaj është 55 vjeç, ka lindur në Vlorë dhe banon në Tiranë.