Transmetuar më 28-03-2017, 09:43

Një tjetër sasi lënde narkotike e konsiderueshme është sekuestruar në gadishullin e Karaburunit, teksa ishte gati për t’u trafikuar drejt Italisë me një gomone.

Operacioni antidroge është realizuar nga Policia Kufitare Vlorë në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe Delta Forcë, GdF, mbi bazën e të cilit kanë bllokuar një mjet lundrues në det si dhe 750 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa pranë vendit të quajtur "Gjiri i Anglezit", Karaburun.

Një pjesë e lëndës narkotike u gjet e ngarkuar në gomone, ndërsa pjesa tjetër ishte e shpërndarë në breg të detit, në total 57 pako të përmasave të ndryshme, të mbështjella me plastikë dhe natriban.

Mjeti lundrues tip gomone ka përmasat 7.2 m gjatësi dhe me dy motora të markës Yamaha 300 KF dhe 25 KF.

Gjatë bllokimit të mjetit lundrues dhe sasisë së lëndës narkotike, dyshohet se 3 shtetas duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Vazhdon operacioni i përbashkët nëpërmjet kërkimeve nga toka dhe uji me qëllim kapjen e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari kriminale./b.l/noa.al/