Transmetuar më 28-03-2017, 09:23

Pas analizimit të pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë kanë ardhur edhe dy ndalimet e para për vrasjen e 20 vjeçarit Emanuele Morganti, i cili u rrah për vdekje në Alatri në Frosinone sepse mbrojti të fejuarën në disko. Në krim sipas mediave pjesa më e madhe e atyre që morën pjesë ishin shqiptarë.

Kryetari i komunës Alatri, Giuseppe Morini, ka bërë një apel publik për të inkurajuar ata që dinë të vërtetën dhe për të bashkëpunuar me drejtësinë që mënyrë që përgjegjësit të identifikohen. “Alatri nuk duhet të heshtë. Jashtë atij lokali, kishte shumë persona, por askush nuk i ndaloi agresorët ose atë barbari të tmerrshme dhe kjo është e tmerrshme”, – shtroi kreu i komunës.

Sipas "Il Messaggero" dy persona identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur janë ndaluar mbrëmjen e së hënës në përfundim të një dite intensive të marrjes në pyetje dhe vëzhgimeve në vendin e ngjarjes, ku Emanuele u rrah barbarisht.

Hetuesit e kishin përqendruar vëmendjen në një grup prej 9 personash që prej fillimit, të cilët konsideroheshin të përfshirë dhe janë bërë edhe kontrolle në kërkim të armës së përdorur për të goditur të riun. Mendohet të ketë qenë një levë, një shkop kriketi, një shufër hekuri ose një paletë, të cilën hetuesit nuk kanë arritur ende ta gjejnë.

Tezja e viktimës ka paralajmëruar autoritetet. "Drejtësi ose do të bëjmë vetëgjyqësi. Emanuele nuk e meritonte këtë. Nuk mund të vdesësh 20 vjeç. Duhet të kalbesh në burg, duam drejtësi ose do marrim vetë hak", ka thënë mes lotësh tezja e të riut.

Ndërkohë Alatri "qan" një episod të pashpjegueshëm dhe administrata ka paraljmëruar sot ditë zie, ndërsa në mbrëmje është organizuar një kortezh për të përkujtuar Emanuele Morgantin.