Transmetuar më 27-03-2017, 17:31

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes miqësore Shqipëri-Bosnje. Përmes një njoftimi për shtyp, drejtoria bën me dije se masat përfshijnë kontrollin e trafikut, me ndalimin e parkimit përreth dhe përballë stadiumit “Elbasan Arena”.

Gjithashtu njoftohet se hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 16:00 dhe sportdashësve u bëhet thirrje që të mos kenë me vete mjete të forta. 

Në këtë operacion do të angazhohen 280 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, komisariatet vartëse të saj dhe nga FNSH-ja. Masat e ndërmarra janë si më poshtë: 

– Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit. – Lëvizja e mjeteve do të lejohet në bulevardin “Qemal Stafa”, që fillon nga Posta, deri në dalje në Unazë. – E hapur do të jetë rruga nga ish-Konservimi deri tek “5 Maj”, e cila do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti. – Hyrja e sportdashësve në stadium do të fillojë në orën 16:00, me qëllim shmangien e radhëve të gjata.

– Të gjithë sportdashesit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet duhet të jenë të pajisur me biletë, me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:

a) sende të forta, b) shishe (të  cfarëdolloji) c) fishekzjarre d) monedha  apo  metale  (të  cfarëdolloji) e) çelësa  të  ndryshëm

Në të kundërt ata nuk do të lejohen të futen në stadium. – Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura./b.l/noa.al/