Transmetuar më 27-03-2017, 17:26

Në muzeun Bode, në Berlin, është vjedhur një monedhë ari që peshonte 100 kilogramë dhe që ka vlerën prej të paktën pesë milionë dollarësh.

Zëdhënësi i policisë, Stefen Petersen ka thënë se hajdutët duket se kanë hyrë në muze përmes dritares në orën 3:30 të mëngjesit, e kanë vjedhur monedhën dhe kanë arritur që të largohen përpara se të arrinte policia.

Në afërsi të ndërtesës së muzeut janë gjetur disa shkallë.

Policia gjermane beson se në këtë vjedhje janë të përfshirë më shumë se një person, marrë parasysh edhe peshën e monedhës së vjedhur.

Muzeu ka thënë se monedha e vjedhur mbante rekordin në Librin Guinness për pastërtinë e arit. Monedha, në njërën anë ka portretin e Mbretëreshës Elizabeta II, ndërkaq në anën tjetër është një gjethe panje.