Transmetuar më 27-03-2017, 15:50

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë një letër nga zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i cili është njëkohësisht edhe shefi i politikës së jashtme në CDU, si dhe ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë.

Në letër funksionari i lartë partiak i CDU-CSU shkruan se ishte ngarkuar nga pjesëmarrësit në mbledhjen e grupit të punës të Ballkanit perëndimor, e cila ishte mbledhur më 21 mars për t’i përcjellë kryetarit të Partisë Demokratike, siç thotë ai, shqetësimin e thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri. 

“Pasi grupi im parlamentar u angazhua fuqishëm për reformën në drejtësi në vendin tuaj dhe më pas kjo u votua me votat e grupit tuaj parlamentar më 21 korrik, ne tani jemi shumë të pakënaqur që kjo reformë e rëndësishme, e dëshiruar nga 90 për qind e shqiptarëve, nuk po vihet në zbatim, sepse Partia Demokratike po bojkoton Parlamentin”, thuhet në letrën e Franz Josef Jung.

CDU dhe CSU, thotë zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Bundestagut, është shumë e shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë falsifikim të madh si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera, por bojkotin ai e cilëson si rrugë të gabuar, përfshirë këtu edhe kërkesën për qeveri teknike. 

Franz Josef Jung paralajmëron për pasojat e rënda për vendin dhe për vetë Partinë Demokratike. Ai është ultimativ kur thotë se, ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta. Në emër të grupit parlamentar më të rëndësishëm në Gjermani dhe në mesin e partive popullore europiane, Jung i drejton kryetarit të Partisë Demokratike lutjen e tyre urgjente. 

“Për t’i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t’u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër”, thekson Jung.  

Kjo letër i mbërriti kreut demokrat gati një muaj pasi opozita braktisi Kuvendin, nuk voton më vazhdimin e reformës në drejtësi dhe në mënyrë ultimative kërkon krijimin e një qeverie teknike.

Por pavarësisht thirrjeve të CDU-së dhe më herët edhe të SHBA-ve për të marrë pjesë në zgjedhje, koalicioni opozitar siç duket nuk heq dorë nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike.

Me anë të një deklarate për mediat, koalicioni bënë me dije se kanë marrë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ, deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike të gjerë.

Deklarata e Koalicionit Opozitar:

Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë  e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë. Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.