Transmetuar më 27-03-2017, 15:35

Mëngjesin e sotëm në urgjencën e Tiranës është shtruar këngëtari Françesk Radi.

Pas këtij lajmi ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë e cila bën me dije se ekipi i mjekëve të Reanimacionit Qendror, në QSUT po ndjek me vëmendje ecurinë e gjendjes shëndetësore të artistit të njohur.

“Ekipi mjekësor është duke ndjekur të gjitha procedurat e përcaktuara në protokollet e mjekimit sipas diagnozës, si dhe ka marrë dhe po merr të gjitha veprimet e nevojshme për ndjekjen dhe mjekimin e artistit të njohur, Françesk Radi”, thuhet në njoftimin e MSH.

Duke iu referuar mjekëve mësohet se kantautori është shtruar në reanimacionin dhe gjendja e tij është shumë e rëndë. Sipas tyre, këngëtari ka pësuar hemorragji masive të trurit.

Më herët ka qenë vetë bashkëshortja e Radit, e njohura Tefta Radi e cila ka njoftuar familjarët për gjendjen e rënduar të tij dhe ka bërë thirrje për ndihmë të specializuar mjekësore.

“Gjendja e tij është shumë e rëndë. Nëse autoritetet kanë mundësitë për ta dërguar jashtë për një mjekim më të specializuar ju lutem ta bëjnë” tha mes lotësh Tefta Radi./b.l/noa.al/