Transmetuar më 27-03-2017, 13:51

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti i kësaj partie, Taulant Balla tha se zgjedhjet në Kavajë do të zhvillohen edhe nëse opozita nuk merr pjesë.

"PS do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kavajës edhe pa opozitën. Shumica i ka votat e nevojshme për implementimin e ligjeve. Gjithashtu qeveria është e gatshme për të diskutuar rreth cdo gjëje me opozitën", u shpreh Balla.

Më tej Balla i bëri apel opozitës të vijë në Kuvend të enjten për të votuar ndryshimet në Kodin e Procedurës penale, Kodin Penal dhe një sërë ligjesh të cilat janë pjesë e paketës së reformës në drejtësi.

“Maxhoranca sigurisht që i ka votat për të vazhduar miratimin e tyre, por është një moment i mirë për të ribërë thirrje opozitës që të kryejë detyrimet e veta përfaqësuese përkundrejt asaj pjese shqiptare që i ka besuar mandatet e tyre në Kuvend të vijnë të votojnë ligje shumë të rëndësishme sikurse janë Kodi i Procedurës Penale, Kodi Penal të cilat do të intensifikojnë më tek luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çdo të keqe tjetër të shoqërisë tonë”, tha Balla.

Megjithatë kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh më herët nga çadra se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet nga objektivat dhe kërkesat e saj. "Opozita është e vendosur se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë, ndërsa është kërkuar mobilizim i të gjitha energjive për protestën", tha Basha./b.l/noa.al/