Transmetuar më 27-03-2017, 12:30

“Kemi marrë mbështetje totale në Uashington dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian. Nuk do të ketë asnjë tërheqje”.

Kjo ishte deklarata e Lulzim Bashës nga çadra e protestës së opozitës, duke këmbëngulur se kauzat e Partisë Demokratike mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për këtë betejë, për këtë kauzë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, largimit të krimit nga politika dhe luftën pa kompromis kundër drogës, kemi marrë mbështetje totale në Uashginton dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka synim Shqipërinë. Nuk ka tërheqje sepse do të thotë rënie të zgjedhjeve të lira e të ndershme, tërheqje do të thotë Shqipëri të republikës së drogës. Do të ketë luftë të vendosur deri në fitore”, deklaroi Basha. 

Gjithashtu, Basha nuk ndali akuzat dhe në drejtim të medias, ku tha se “mediat e blera me paratë e drogës i kanë shpallur luftë popullit shqiptar”. 

Më tej ai iu referua çështjes së hetimeve për CEZ-in, duke premtuar rihapjen  e komisionit për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së qindra e miliona eurove.

“Afera e CEZ është afera më e madhe në historinë e vendit. Komisioni u bojkotua që ditën e parë, ku mafia vodhi 650 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve. Dhe kjo është mafia e Ramës, e cila në bashkëpunim me mafien ndërkombëtare, zhvatën nga xhepat e shqiptarëve qindra miliona euro. Ekzistojnë detyrime të njohura, të pranuara ligjërisht nga CEZ, para që duhej të ishin në arkën e përbashkët të shtetit shqiptar, por nuk erdhën kurrë, sepse këto para u ndanë me mafiozët shqiptarë e ndërkombëtare”, u shpreh Basha. 

Sipas Bashës, pakti për t’u zhvatur 600 milionë euro shqiptarëve, u bë para se Rama të vinte në pushtet para thuajse 4 vjetësh./b.l/noa.al/