Transmetuar më 27-03-2017, 10:48

Tiranë, 27 mars 2017, NOA.al- Ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u shfaq i prerë në fjalën e tij të parë si ministër, duke lajmëruar drejtim me grusht të hekurt.

Por ai nuk la pa përmendur sulmet e adresuara prej tij këto ditë, që nga momenti i propozimit si ministër i Brendshëm.

“Pavarësisht sulmeve personale të atyre që nuk e duan reformën në drejtësi, unë nuk do e ndal përkushtimin tim për zbatimin e reformës në drejtësi. Ne në këto 3 vite e gjysmë kemi punuar për të bërë shtet, dhe rritja e besimit të njerëzve për një qeverisje më të mirë, ky mbetet angazhimi themelor”, u shpreh Xhafaj.

Ai tha se të bërit politikë dhe të qenit pjesë aktive e saj e ka konsideruar përherë punë serioze që kërkon njerëz serioz, ndërsa punën si ministër e cilësoi përgjegjësi të madhe kushtetuese dhe ligjore, duke shtuar se sa herë që i është dhënë mundësia për një detyrë të tillë i ka dhënë gjithë përkushtimin.

“Sidomos në një vend si ky i yni ku konfliktualiteti është arma që vret më shumë njerëz. Vendimi për të pranuar këtë detyrë ka qenë dhe besoj vendimi më i vështirë i jetës sime politike. Tashmë kjo është shndërruar vetëm një sfidë, përmbushjen me sukses të kësaj detyre”, deklaroi ai.

Ky qëndrim u dha në një takim të ditës së sotme me drejtues të Policisë së Shtetit, në krahë të Kryeministrit Edi Rama, ku Xhafaj tha se nën drejtimin e tij do të ketë më shumë njerëz në terren se në zyra në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

“Do të ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabisi të mbjellë. Ky çmim nuk do të bjerë vetëm mbi ata që mbjellin, por edhe mbi ata që nuk e luftojnë dhe informojnë. Ndëshkimi ndaj policit në rast se gjendet në shkelje do të jetë nga largimi nga radhët e Policisë së Shtetit, tek ndjekja penale. Kjo betejë nuk luftohet pa mbështetjen e qytetarëve. Jam i bindur se të gjithë bashkë do e fitojmë bashkë këtë betejë dhe nuk do jemi pjesë e kësaj harte famëkeqe”, u shpreh Xhafaj.

Ministri tha se prioritet tjetër i punës së tij, është që çdo veprimtari në kuadër të procesit parazgjedhor dhe paszgjedhor të jetë në zbatim të afateve parashikuar nga ligji.

Ai tha se pritet është paanësia e kryerjes së veprimtarisë në këtë proces aq sa i njeh ligji dhe në çdo veprimtari për mbarëvajtjen e procesit.

Xhafaj tha do ndëshkohet rëndë çdo përfshirje e policisë që tejkalon në këtë proces kompetencat e parashikuara nga ligji, duke nënvizuar se zgjedhjet janë të qytetarëve dhe policia i përket qytetarëve. “Aspirata jonë janë zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ai.

Xhafaj shtoi më tej se lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do jetë një tjetër prioritet, ashtu si lufta kundër krimit të organizuar.

Ai paralajmëroi edhe efektivët e policisë duke thënë se puna e çdo oficeri do matet me rezultate konkrete. Po ashtu ai u ndaj edhe në zbatimin e reformës në drejtësi dhe në rëndësinë e procesit të Vettingut, duke thënë se Vetting do të ketë edhe për policët. 

“Ka ardhur koha të bëhet edhe Vettingu i policëve. Tolerancë zero ndaj atyre që shkelin ligjin në krye të detyrës së tyre të punonjësit të policisë”, tha ai./a.y/noa.al  

Fjala e plotë e ministrit Xhafaj

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë ceremoni. E konsideroj praninë tuaj sot këtu si shprehje të mbështetjes dhe besimit për të përmbushur me sukses, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Shqipëria pa dyshim sot, pas rreth tre vite e gjysmë qeverisjeje, është një vend më i sigurt nga pikëpamja e rendit dhe e sigurisë publike. Ky nuk është një konstatim i bërë vetëm nga kjo mazhorancë. Ky fakt është i certifikuar si i tillë nga organizata dhe institucione ndërkombëtare, të cilat kanë monitoruar dhe monitorojnë nga shumë afër veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të çdo agjencie që merret me sigurinë publike në këtë vend.

Ajo që është e qartë është se sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe gëzon çdo ditë e më shumë besimin e shtetasve dhe respektin e tyre. Sot Policia ka një fizionomi të ndryshuar për shkak të një statusi të ri ligjor që u është dhënë punonjësve të saj. Sot Policia është e përbërë nga një trupë e mirëpërzgjedhur, e mirëarsimuar dhe e trajnuar, me emërime dhe ngritje në detyrë për shkak të meritokracisë.

Vlen të theksohet se jo vetëm ngritja profesionale ka ndikuar në performancën më të lartë të Policisë në këto 27 vitet e fundit, por dhe mbështetja financiare logjistike ndaj tyre ka shërbyer për rikthimin e dinjitetit të punonjësit të Policisë. Falë mbështetjes edhe të partnerëve ndërkombëtarë, sot kemi një Polici më mirë të trajnuar profesionalisht në luftën kundër krimit të organizuar, luftës ndaj lëndëve narkotike dhe luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit.

Është rasti të përshëndes dhe të vlerësoj punën me pasion dhe përkushtim të kryer nga kolegu im Z. Tahiri në krye të kësaj ministrie, i cili në harmoni të plotë me programin e qeverisë dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka një meritë të veçantë në arritjet trevjeçare të kësaj ministrie dhe vetë Policisë së Shtetit.

Nuk jam sot këtu për të bërë analizën e punës dhe veprimtarisë së Ministrisë dhe as Policisë së Shtetit. I theksova sa më sipër disa tregues – të cilët në mënyrë shumë të qartë e të përmbledhur i trajtoi zoti Kryeministër në fjalën e tij – lehtësisht të dukshme dhe të ndjeshme tek qytetarët, për t’ju bërë me dije se detyra ime prioritare është t’i konsolidoj arritjet dhe të vazhdoj t’i çoj ato përpara.

Në ushtrimin e këtij funksioni të lartë kushtetues, ligjor dhe institucional, përpara meje dhe gjithë ekipit drejtues të Ministrisë si dhe atij të Policisë së Shtetit shtrohen një sërë prioritetesh kyçe të cilat kërkojnë përgjegjësi, përkushtim, angazhim maksimal dhe rezultate konkrete.

Së pari, lufta për parandalimin e çdo lloj veprimtarie që lidhet me mbjelljen dhe kultivimin e Kanabisit në veçanti dhe trafikun e narkotikëve në përgjithësi, do jetë prioriteti thelbësor i punës sime në krye të ministrisë dhe i gjithë ekipit drejtues veçanërisht i strukturave të Policisë së Shtetit (nga Drejtori i Përgjithshëm deri tek punonjësi më i thjeshtë i rolit bazë). Qeveria Shqiptare ka hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë një plan të qartë veprimi për luftën ndaj lëndëve narkotike, dhe posaçërisht për ndalimin e kultivimit të Kanabisit. Ky plan do jetë udhërrëfyesi i punës sonë të përbashkët.

Sfida ime është që ta nxjerrim Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga lista e vendeve që kultivojnë Kanabisin.  Pa dyshim ky objektiv është një sfidë mjaft e vështirë për këdo dhe kudo ku ky fenomen ekziston.

Por duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se asnjë e mirë nuk u vjen qytetarëve të një vendi ku mbillet kanabis dhe ku ekziston trafiku i lëndëve narkotike. Ndaj në këtë luftë duhet të jemi të gjithë bashkë, pa asnjë dallim politik apo i çdo lloji tjetër.

Shqipëria është një vend i vogël, me një sipërfaqe relativisht të vogël por dhe me një territor të vështirë dhe me infrastrukturë të keqe në një pjesë të konsiderueshme të saj. Ne të gjithë do bëjmë përpjekjet tona maksimale për të parandaluar këtë fenomen që në embrion.

Për të realizuar këtë, ndër të tjera do të rrisim dhe mbështesim maksimalisht rolin e Policisë në terren. Ndaj ju siguroj sot këtu se do ketë shumë herë dhe më shumë njerëz në terren se në zyra, në luftën për parandalimit e mbjelljes së kanabisit.

Në këtë betejë nuk do bëjmë asnjë kompromis me trafikantët, me abuzuesit e ligjit, me punonjësit e korruptuar të Policisë. Do të ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabisi të mbjellë. Dhe ky ndëshkim nuk do bjerë vetëm mbi ata që tentojnë ta mbjellin, por edhe mbi ata që e lejojnë, që nuk informojnë dhe nuk e luftojnë, duke u bërë palë me kriminelët.

Ju siguroj publikisht se, për të gjithë ata punonjës të Policisë së Shtetit që bëhen palë me krimin, ndëshkimi ligjor do të jetë mjaft i rreptë, nga largimi i tyre i plotë nga radhët e Policisë së Shtetit dhe deri në ndjekje penale. Kjo është një betejë e cila nuk mund të realizohet pa mbështetjen e shtetasve, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, pa mbështetjen dhe angazhimin serioz të organeve të qeverisjes vendore, për të bashkëpunuar me Policinë, për denoncimin e rasteve, për rritjen dhe sensibilizimin tek njerëzit në zonat rurale më të thella nga skaji verior e deri tek ai jugor.

Duke forcuar besimin se tek Policia e Shtetit çdo qytetar duhet të gjejë mbështetjen absolute në luftën kundër çdo lloj paligjshmërie.  

Jam i bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë betejë dhe Shqipëria nuk do të jetë pjesë e kësaj harte famëkeqe, por e një harte tjetër. Hartës së familjes së madhe të Bashkimit Europian.

Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Prioritet tjetër kryesor i punës sime si Ministër i Brendshëm do të jetë që çdo veprimtari që do të zhvillohet në kuadër të procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor të jetë një veprimtari në shërbim të përkryer të zhvillimit të zgjedhjeve  në respektim të afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji.

Ajo që pritet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendas, si dhe vetë në radhë të parë, është paanësia e kryerjes së veprimtarisë së ministrisë në këtë proces për aq sa asaj i njeh përgjegjësi ligji. Dhe kjo do të jetë kryefjala jonë: paanësi në çdo veprimtari që do të kryejmë për mbarëvajtjen e procesit, si dhe në rolin që ka Policia e Shtetit në realizimin e zgjidhjeve sipas detyrave të mirëpërcaktuara tashmë në ligjin përkatës.

Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i Policisë, organeve të saj apo punonjësve të saj që tejkalon në këtë proces kompetencat e përcaktuara nga ligji.

Zgjedhjet janë të qytetarëve dhe Policia u përket qytetarëve. Ndaj nuk do të lejojmë kurrsesi që Policia të ndikojë në këtë proces të shenjtë. Aspirata jonë është zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe financimit të terrorizmit do të jetë një ndër prioritetet gjithashtu shumë të rëndësishme të punës sonë. Sot e përditë vendet europiane po përballen me një pasiguri ekstreme për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në këtë luftë Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Pikë së pari për parandalimin e përhapjes së këtyre fenomeneve në vendin tonë. Dhe së dyti, marrjen e masave për evidentimin e tyre.

Shteti ynë ka mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë strategjikë në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe financimit të tyre. Duke mbajtur parasysh se kjo luftë përfshin disa faktorë, prioriteti i punës sonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të jenë përpjekjet maksimale dhe të vazhdueshme për të realizuar të gjitha detyrimet tona kundrejt të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara, marrëveshjeve dhe strategjive me të cilat Shqipëria është bërë pjesë.

Veprimtaria jonë do të intensifikohet në këtë drejtim në mbështetjen edhe të partnerëve strategjikë për ta bërë vendin akoma edhe më të sigurt. Intensifikimi i luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale, duke përfshirë këtu edhe organizmin e kultivimit të bimëve narkotike do të jetë një tjetër prioritet kyç i punës sime si ministër.

Puna parandaluese duhet të shkojë paralelisht me veprimtarinë e Policisë së Shtetit në funksion të zbatimit me efektivitet të ligjit penal. Këtu një rol të dorës së parë ka veprimtaria e Policisë Gjyqësore, puna dhe misioni i përbashkët me prokurorët për ndëshkimin e rreptë të veprimtarisë kriminale.

Në këtë aspekt strukturat e Policisë së Shtetit do të nxiten dhe inkurajohen që të fokusohen me hetime proaktive, do të mbështeten me mjete logjistike dhe do të kërkohet që të ndjekin hetime deri në identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Forcat njerëzore në këtë aspekt janë disi të kufizuara në numër. Ndaj kërkohet përqendrim në hetimet që kanë rëndësi parësore për çështje të rëndësishme, duke racionalizuar forcat dhe duke hequr dorë nga puna për dukje dhe shifra që nuk thonë gjë. Puna e çdo oficeri apo agjenti të Policisë do të duhet të matet me rezultate konkretë dhe të arritura në terren në veprimtarinë hetimore, për evidentimin e të gjitha grupeve kriminale, posaçërisht të personave që paraqesin rrezikshmëri të theksuar për rendin dhe sigurinë publike.

Struktura përkatëse të Policisë së Shtetit do të inkurajojnë që të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, të aktivizojë të gjitha burimet e informimit me qëllim ndërprerjen e lidhjeve që favorizojnë mbështetjen e tyre, deri në arrestimin dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Policia e Shtetit do t’i kushtojw një rëndësi të posaçme forcimit të besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me shërbimet informative. Në disa raste të anashkalimit të strukturave të Policisë dhe të krimit të lidhjeve të shkurtra me misionet e tjera ligjzbatuese duhet të mos përsëriten.

Fakti se për fat të keq ka dhe raste të korruptimit të oficerëve apo agjentëve të veçantë të Policisë nuk duhet të shërbejë si alibi për të përligjur mosbashkëpunimin.

Ndërkohë që është fakt i provuar që në radhët e Policisë punojnë vajza dhe djem me integritet të sprovuar në luftën e përditshme kundër krimit. Këta të fundit të cilët do të mbështeten fort nga ana ime si ministër, janë garancia për të shtyrë përpara punën e përbashkët në interes të ligjit, drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve.

Do të ngrihet në nivel më të lartë beteja jonë kundër aseteve dhe produkteve të krimit të cilët ushqejnë çdo ditë dhe çdo orë paligjshmërinë. U japin forcë dhe siguri organizatave kriminale, financojnë veprimtarinë e paligjshme dhe sponsorizojnë korrupsionin në Prokurori dhe Gjykatë duke shumëzuar me zero punën e strukturave të Policisë së Shtetit. 

Për këtë arsye krahas parandalimit dhe represionit kundër krimit do të kërkojë me forca zbatimin e ligjit për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, mbështetur edhe në ndryshimet e rëndësishme që i janë duke iu bërë legjislacionit përkatës në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe që priten të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë.

Disa masa reformuese të strukturave të Policisë Gjyqësore dhe hetimit në radhët e Policisë së Shtetit në përshtatje dhe me zgjidhjet e reja të ofruara nga Reforma në Drejtësi në fushën e drejtësisë penale do të jenë pjesë e rëndësishme e axhendës sime në krye të Ministrisë së Punëve të  Brendshme.

Një Polici e qëndrueshme  me integritet të lartë dhe besueshmëri te qytetari është gjithashtu një tjetër prioritet i punës sonë. 

Për të arritur këtë qëllim duhet të zhvillohen raporte vlerësimi,  për vlerësuar  pastërtinë e figurës së punonjësit të Policisë dhe ndoshta ka ardhur koha për të bërë atë që konsiderohet ndryshe edhe Vetting-u i figurës morale të çdo punonjësi të Policisë.

Promovimi brenda strukturave të Policisë së Shtetit do të bëhet vetëm sipas meritokracisë dhe sistemeve të vlerësimit. Në këto kushte dua të theksoj sot se punonjësit e Policisë së Shtetit do të jenë shërbëtor të ligjit dhe luftëtarë të krimit.

Tolerancë zero do të aplikohet ndaj çdo shkelje gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndaj atyre punonjësve të cilët nuk meritojnë të jenë në radhët e Policisë.

Është detyra ime në radhë të parë dhe çdo drejtuesi të lartë e deri të punonjësi më i thjeshtë i Policisë për tu shërbyer me ndershmëri qytetarëve dhe për të forcuar më tej besimin në rritje të publikut te Policia e Shtetit.

Shtetasit shqiptar duhet të ndihen më të fortë për të bërë denoncim në Polici. Më të mbrojtur për të bashkëpunuar me organet e Policisë dhe të sensibilizuar për të rritur parandalimin e veprave të ndryshme penale.

Lufta kundër korrupsionit në radhët e Policisë gjithashtu do të marrë prioritet gjatë qëndrimit tim në këtë detyrë. Ne kemi nevojë për punonjës Policie dhe veçanërisht për drejtues Policie me integritet të lartë moral. Të aftë të punojnë dhe të luftojnë në ekip si dhe me profesionalizëm të lartë, si kusht për një Polici në shërbim të kushtetutës dhe ligjit. Në shërbim të jetës dhe të sigurisë së qytetarëve për një Polici që ofron shpresë dhe besim.

Nuk mund të mendohet që dhe një punonjës si thjeshtë policie të japë ndihmë apo më keq akoma të bashkëpunojë ngushtë me persona të përfshirë në veprimtari kriminale dhe jo më për një drejtues të lartë Policie.

Nëse kjo ndodhë atëherë rendi dhe siguria publike janë cenuar rëndë dhe në këtë rast reagimi ligjor kundër këtyre drejtuesve do të jetë shumë i ashpër.

Me rëndësi të veçantë do të ketë edhe vazhdimi i projekteve që kanë filluar dhe që kanë rëndësi të madhe për shtetasit dhe pikërisht projekti që lidhet me popullimin, identifikimin e çdo adrese të individëve përmes numrit unik, personal të shtetasve atje ku banojnë.

Gjithashtu nisma dorëzimi vullnetar i armëve do të jetë gjithashtu një projekt që do të ketë vëmendjen e punës sime, kjo për të rritur sensibilizimin e qytetarëve për dorëzimin e armëve dhe për ti thënë jo dhunës dhe vetëgjyqësisë.

Të nderuar pjesëmarrës, në këto tre vite e gjysmë të qeverisë sonë, arritëm atë që çdo njeri dukej e pamundur, Reformën në Drejtësi.

Reforma në Drejtësi është reforma më e rëndësishme në 25 vitet e fundit, një reformë e mezi pritur nga shtetasit të cilët ende për vite të tëra në dyert e Prokurorive dhe Gjykatave,  që vuajnë pasojat e një hetimi ose vendimi të padrejtë.

Që vuajnë nga veprimet korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nga neglizhenca e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe asaj të Prokurorisë. Por jo vetëm për shtetasit por edhe për vetë Policinë.

Është sfiduese të luftosh me kriminelët deri në humbje jete dhe të arrestosh kriminelët të cilët i rishikon përsëri në rrugët e qytetit tënd. Me zbatimin e Reformës në Drejtësi këto praktika abuzive do të marrin fund.

Në rreth tre vite pune intensive, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që hasëm, ne ja dolëm të ideonim, të hartojmë dhe të miratojmë projekte të rëndësishme, kushtetuese dhe ligjore për reformimin thelbësor të sistemit të drejtësisë. 

Zbatimi i Vetting-ut është hapi i parë që pritet të ndodhë në jetësimin e kësaj reforme, proces që do t’i hapi rrugën verifikimit të skanimit të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë dhe më pas konstituimit të të gjitha institucioneve të reja të këtij sistemi.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që në radhët e gjyqësorit dhe të prokurorisë shërbejnë edhe shumë njerëz me integritet e cilësi të larta morale që nuk kanë asgjë të përbashkët me individë të korruptuar në radhët e tyre që janë vendosur në shërbim të interesave të jashtëligjshme politike dhe financiare.

Ne do të nxisim bashkëpunimin me ta në funksion të arritjes së rezultateve konkrete në hetimet e përbashkëta. Asnjëherë nuk duhet të humbasim besimin se vetëm me përpjekje dhe punë të përbashkët, duke kultivuar solidaritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë në luftë ndaj krimit, rezultatet nuk do të mungojnë.

Ashtu si përgjatë 3 viteve dhashë kontributin tim aktiv në krye të Komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, do të vazhdoj ta jap këtë kontribut edhe në këtë përgjegjësi të re si pjesë e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Kryeministri Rama.

Kontributi im tashmë do të fokusohet në procesin e zbatimit të saj, për zbatimin me sukses të procesit të Vetting-ut, brenda kufijve të ligjit dhe në ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë penale dhe sidomos Byrosë Kombëtare të Hetimit, pjesë e strukturave të posaçme për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si domosdoshmëri për të eliminuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe forcuar luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.

Pavarësisht sulmeve personale dhe ato familjare ndaj meje së fundmi nga individë të forcave politike, individë të cilët nuk e duan reformën në drejtësi, nuk e duan zbatimin e saj, unë përsëri deklaroj se nuk do të ndaloj për asnjë çast, për asnjë moment të vetëm të gjitha përpjekjet, energjitë dhe përkushtimin tim, së bashku me kolegët në zbatimin e kësaj reforme të rëndësishme.

Në këto tre vite e gjysmë ne kemi punuar për të bërë shtet, shtetin e së drejtës, si bazament i qëndrueshëm për forcimin e demokracisë funksionale, zhvillimin demokratike dhe social të vendit dhe rritjen e besimit të njerëzve për një qeverisje më të mirë.

Ky mbetet angazhimi dhe misioni ynë thelbësor përballë shtetasve të vendit tonë.

Të nderuar miq, në fund, në respekt të publikut, të të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë, më kanë mbështetur në këtë moment, dëshiroj të them dy fjalë personale: të bërit politikë, të qenët pjesë aktive e saj dhe veçanërisht përfaqësimi si ligjvënës i interesave të zgjedhësve të mi, e kam konsideruar përherë si një punë shumë serioze, që kërkon njerëz seriozë.

Ndaj dhe kam shërbyer në të përherë me shumë seriozitet. Të shërbesh si Ministër është një përgjegjësi e madhe, kushtetuese dhe ligjore dhe sidomos në raport me interesat e qytetarëve që presin një qeverisje më të mirë.

Ndaj sa herë më është dhënë mundësia për një detyrë të tillë i kam dhënë asaj gjithë përgjegjësinë, përkushtimin dhe angazhimin tim.

Të shërbesh si ministër i Brendshëm, për më tepër në një vend si ky i yni, ku politika dhe konfliktualiteti i prodhuar prej saj është arma që vret më shumë shpresën dhe besimin e njerëzve, është jo thjesht një përgjegjësi, por edhe një sakrificë.

Jam i ndërgjegjshëm për këtë gjë, ndaj dhe vendimi për të pranuar këtë detyrë ka qenë dhe besoj se do të mbetet vendimi më i vështirë i jetës sime politike.

Tashmë kjo është shndërruar në një sfidë që ka vetëm një rrugë: – përmbushjen me sukses të detyrës.

Në mbyllje, më lejoni t’i shpreh mirënjohjen time Kryeministrit të vendit Rama, për besimin dhe mbështetjen e plotë që më ka dhënë në këtë detyrë si dhe kolegëve të mazhorancës që më votëbesuan për këtë detyrë me përgjegjësi.

Gjithashtu me lejoni të falënderoj partnerët ndërkombëtarë, të cilët më kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme gjatë punës së përbashkët për reformën në drejtësi, por dhe për mbështetjen e veçantë që më kanë ofruar dhe garantuar për përmbushjen e detyrës si ministër.

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe stafin tim për mbështetjen e dhënë duke i inkurajuar për punën e madhe që na pret të gjithëve së bashku.

Më lejoni të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ata që këto ditë përmes qindra e qindra mesazheve më kanë dhënë mbështetje në këtë përgjegjësi të re dhe t’i siguroj ata dhe qytetarët se ashtu sikundër punova për projektin e reformës në drejtësi, po me të njëjtin pasion, përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim do t’i përkushtohem edhe kësaj detyre me shumë përgjegjësi në interes të vendit tim, në shërbim të qytetarëve që dëshirojnë një vend edhe më të sigurt, më të qetë dhe padyshim më të drejtë.

Ju faleminderit të gjithëve!