Transmetuar më 27-03-2017, 10:20

Tiranë, 27 mars 2017, NOA.al- Në të parin aktivitet në krah të ministrit të ri të Brendshëm Fatimir Xhafaj, Kryeministri Edi Rama, thotë se nuk mund të harrohet se 3 vjet e gjysmë më parë Policia e Shtetit ishte një institucion po aq i pabesueshëm sa gjykatat dhe prokuroria.

Por ai shprehet se në sajë të punës së bërë, policia është institucioni më i besueshëm në vend. Në një takim të ditës së sotme në ministrinë e Brendshme, me drejtues të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë tha se do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të luftës kundër kultivimit të kanabisit.

Sipas tij, pas shkatërrimit të “Republikës së turpit në Lazarat” dhe rezultateve kundër kultivimit të kanabisit, ekzistojnë të gjitha arsyet që 2017 të jetë viti që i vë kapak kësaj historie të gjatë që nuk filloi në 2013, tha ai, por që i ka rrënjët larg në të shkuarën, por që për Ramën, në 2017 janë të gjitha premisat që të ketë epilogun e saj.

“Puna e nisur këtë vit me kontrolle të imta dhe vazhdueshme në gjithë territorin, për të parandaluar kultivimin e mëtejshëm të kanabisit. Zbritja deri në përgjegjësi personale për çdo punonjës, do të jetë një bazë inkurajuese që në vjeshtën e këtij viti të dalim krenar përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtare dhe ti japim Shqipërisë një notë shumë pozitive në raport me këtë problem të trashëguar nga e shkuara dhe të zhvilluar në vite.

Sot Policia e Shtetit është në kontroll të plotë të territorit”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se në këto 3 vite e gjysmë, Shqipëria ka shënuar ulje historike vrasjesh, krahasuar me 25 vjet me radhë, kjo edhe në sajë të punës parandaluese që mund të çonin në vetëgjyqësi.

Po ashtu kreu i qeverisë tha se pati zero vrasje për gjakmarrje në tre vitet e fundit dhe kjo tha ai përbën një tjetër arsye për të qenë krenar.

Duke vlerësuar ministrin e ri Xhafaj, ai përmendi punën e bërë prej tij në drejtimin e komisionit parlamentar të Ligjeve.

“Jam i bindur që ministri i ri do përforcojë aspektin e rëndësishëm të krijimit të një reforme modernizimi në Policinë e Shteti”, tha Rama.

Sipas tij ministri i ri do fokusohet në mënyrë të posaçme te Akademia e Policisë, në mënyrë që të ketë rritje të nivelit të mësimdhënies dhe cilësisë së policisë.

Ai shtoi se ajo që ka qenë deviza e ministrit Saimir Tahiri do të jetë edhe e ministrit Xhafaj, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i gjithë shkeljeve abuzive fillon në vetë Policinë e Shtetit. Sipas tij nuk mund të ketë vend në polici, për punonjës që shkelin ligjin dhe ndërveprojnë me ata që Policia e Shtetit ka detyrë t’i luftojë, arrestojë dhe ti çojë përpara organeve të drejtësisë./a.y/noa.al

>