Transmetuar më 27-03-2017, 09:55

Gjirokastër, 27 mars 2017, NOA.al- Nuk kanë të ndalur tentativat për të trafikuar lëndë narkotike drejt shteteve fqinje.

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21.00, në vendin e quajtur “Diga e Liqenit”, në afërsi të fshatit Vrisera, nga punonjësit e policisë Kufitare Kakavijë u konstatuan me kamer termike tre persona, të cilët po ecnin me këmbë nga fshati Vrisera për në drejtim të liqenit.

Uniformat blu janë vënë në ndjekje të tyre personave, të cilët kur ju ka bërë thirrje policia për të ndaluar, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar nga errësira janë larguar në drejtim të pyllit.

Në çanta u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 22 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Ndërkohë policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”./a.y/noa.al