Transmetuar më 27-03-2017, 09:18

Korçë, 27 mars 2017, NOA.al- Dy persona në Korçë janë terrorizuar gjatë natës së lënë pas, ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në banesë për të grabitur.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është paraqitur në policinë e Korçës dhe ka bërë kallëzim N.B., 53 vjeç, banues në fshatin Kamenicë.

Ai ka thënë para uniformave blu se rreth orës 01:45 pas mesnate, në banesën e tij private në fshatin Kamenicë, kanë hyrë dy persona të maskuar të cilët dyshohet të kenë pasur edhe armë.

Të dyshuarit pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave që ndodheshin në banesë, kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte një sasi lekësh, disa dokumente dhe më pas janë larguar.

Për shkak të errësirës dhe maskimit nuk është bërë i mundur identifikimi i të dyshuarve nga të dëmtuarit, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lidhur me këtë ngjarje uniformat blu vijojnë hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”./a.y/noa.al