Transmetuar më 26-03-2017, 13:01

Kryeministri Edi Rama akuzoi sot sërish opozitën se po mban peng reformën në drejtësi përmes bllokimit të ligjit të vettingut. Duke folur nga Vlora në ceremoninë përkujtimore në 20 vjetorin e tragjedisë së Otrantos, Rama theksoi se nuk ka çadër që ndalon vettingun.

“Si ajo pikë karburanti më e rëndësishme se interesi publik në bulevardin e ri të Bregut të Vlorës është dhe çadra në mes të bulevardit atje në Tiranë që i ka zënë rrugën popullit për të parë më në fund gjyqtarët dhe prokurorët që i kanë pirë gjakun popullit për 25 vjet, që të shkojnë prapa hekurave dhe jo të rrinë para popullit me çekiç në dorë dhe të vrasin drejtësinë sa herë u vjen mundësia që të bëjnë padrejtësi në këmbim të parave.

Fakti që reforma në drejtësi nuk është një çështje politike dhe vettingu nuk është një çështje partiake, por mishërimi i një aspirate 25 vjeçare që përputhet sot me interesin kombëtar dhe publik, ashtu nuk ka pikë karburanti dhe çadër që e ndal. Të reformosh këtë vend është një detyrim për të mos lejuar që fëmijët e sotëm të Shqipërisë të paguajnë pasojat e mosreformimit që i paguan fëmijët që lindën pas regjimit”, u shpreh Rama.

Ndërsa lidhur me 20 vjetorin e tragjedisë së Otrantos, në të cilën humbën jetën 105 persona, kryeministri Rama deklaroi para familjarëve dhe të pranishmëve se shpreson që ngjarje të tilla tronditëse nuk do të ndodhin më.

“Janë mbushur plot 20 vite nga tragjedia. Fatkeqësisht këto ngjarje vazhdojnë të ndodhin 20 vite më pas. Mjafton të kujtojmë foton e djaloshit të vogël të shtrirë në brigjet e Turqisë. Këto ngjarje të pandëshkuara na bëjnë të ndihemi larg Evropës.

Sot, jam i bindur se të afërmit e viktimave të tragjedisë kanë në shpirt revoltën për mungesën dëshpëruese të krijuar nga drejtësia për të dhënë dënimin e merituar jo për 2 njerëz kapitenë të anijeve të aksidentit, por për një politikë të tërë, e cila i shtyu këto njerëz që sot nuk jetojnë më drejt një aventure të paimagjinueshme që u bë varri i tyre. Kjo tragjedi është një plagë e pambyllur e kujtesës sonë, shpresojmë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, tha Rama.