Transmetuar më 26-03-2017, 08:21

Yoram Frig quhet izraeliti që u ndalua në aeroportin e Rinasit me një pajisje të veçantë që prokuroria dyshon se kryen përgjime. Ai u lirua, por pasaporta e tij mbahet derisa autoritetet të zbardhin plotësisht ngjarjen, Yoram Frig tha për autoritetet se ai është hetues privat që është pajtuar nga një biznesmen në Shqipëri.

“Unë jam një investigator privat, kam ardhur në Tiranë gjithsej katër herë, dy herë për të vizituar Shqipërinë dhe dy herë për arsye pune. Këtë herë erdha vetëm për 1 ditë e gjysëm. Kam ardhur i pajtuar nga klienti im. Unë jam hetues privat dhe ajo që më është bllokuar nuk është pajisje përgjimi, pra nuk kryen përgjime.

Unë kam ardhur për të ushtruar kontrolle në një kompani private nëse ka apo jo përgjuese. Ajo pajisje identifikon “çimkat” dhe nuk kryen përgjime. Kam punuar të enjten në ambientet e kompanisë së klientit tim. Pajisja është e ligjshme në Izrael dhe kudo në botë”, ka deklaruar izraeliti.

Frig ishte kontraktuar nga biznesmeni dhe deputeti Tom Doshi, bëjnë të ditur burime për “Panoramën”. Ish-deputeti i PS-se ka qenë personi i fundit që i ka paguar vetëm 2 mijë euro për shërbimet e tij izraelitit. Këtë fakt e ka pranuar edhe vete izraeliti në Prokurori. Ai ka thënë se Tom Doshi kishte bindjen se përgjohej nga persona të tjerë.

Nga Izraeli konfirmojnë kompaninë investigative që ka Yoram Frig në Tel Alviv dhe shërbimet që ajo ofron. Ato thonë se Frig nuk ka mundësi të jetë një agjent i Mossad, pasi ata nuk do të rrezikonin misionin duke mbajtur pajisje të tilla në kufij shtetesh.

Yoram Frig është një detektiv privat dhe kompania e tij quhet “Yoram Frig Investigations”, e cila ndodhet në Tel Aviv. Shërbimet që ai ofron përfshijnë: vëzhgim, test poligrafik, vendndodhja e numrave të telefonit. Frig ka licencë nga Ministria e Drejtësisë për të qenë një hetues privat.