Transmetuar më 25-03-2017, 19:27

Plot 2017 të rinj nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, kanë arritur të hyjnë në Librin e Rekordeve Guinnes përmes një performance realizuar mesditën e kësaj të shtune në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Të rinjtë e ulur në shesh teksa kanë formuar fjalën ALBANIA, kanë kënduar njëzëri këngën “Cup Song Albania” nën ritmet e mbajtura përmes përplasjes së duarve dhe gotave. Soliste ka qene 16-vjecarja Vivian Kokeri. Performanca u mbikqyr nga 45 vëzhgues.

E dërguara e rekordeve Guinnes, Lina Kultman, e cilësoi performancën impresionuese dhe frymëzuese.

“Performanca juaj ishte impresionuese dhe frymëzuese. Dje dëgjova se është e vështirë të bësh dy shqiptare në një mëndje, por jo, sot ju vërtetuat të kundërtën. 2017 persona luajtët në mënyrë perfekte në të njëjtën kohë”, – tha ajo. Ndërsa organizatori i këtij rekordi Leonard Bombaj u shpreh se mesazhi i tij është paqja dhe dashuria. 

“Ky ishte një rekord që Shqipëria e ka patur prej shekujsh. Ne u bashkuam dhe ja treguam botës! Dhe për ju fëmijë që performuat sot: Mbajeni mend këtë çast! Mbajeni mend se secili prej jush sot ka shënuar një rekord botëror! Dhe jetën tuaj nesër në mëngjes fillojeni duke thënë: Unë kam bërë një rekord dhe tani kam të tjerë” tha Bombaj.

Performanca masive e të rinjve shqiptarë, transmetuar drejtpërdrejt nga RTSH, theu një rekord të mëparshëm, realizuar në Belgjikë me rreth 349 persona.