Transmetuar më 25-03-2017, 13:28

Kukës, 25 mars 2017, NOA.al- Zbulohet në Kukës lëndë eksplozive në 20 kallëpe dhe 10 kilogramë kanabis sativa.

Zbulimi i eksplozivit dhe drogës u bë mbrëmjen e djeshme në fshatin Bele, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se lënda plasëse dhe kanabisi do trafikoheshin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Bele, në një shpellë në formë guve, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 pako të mbështjella me letër natriban me peshë rreth 10 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, 20 copë kallëp me lëndë plasëse me peshë rreth 2 kg, si dhe 16 copë fishekë model 56.

Nuk dihet se kush janë personat që i kanë fshehur në shpellë, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Hetimet janë ende në vijimësi lidhur me këtë rast, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Kukësit për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”,dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”./a.y/noa.al