Transmetuar më 24-03-2017, 19:35

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana 2017”, çeli sot siparin në Pallatin e Kongreseve. I pranishëm në hapjen e këtij panairi, që ka si qëllim kryesor promovimin e bashkëpunimin rajonal për Turizmin e Ballkanit Perëndimor, ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Kreu i Bashkisë vlerësoi se është tepër e rëndësishme që qytetet në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të Ballkanit të reklamojnë bukuritë natyrore dhe pasurinë që kanë. Veliaj theksoi se turizmi është një nga burimet kryesore të të ardhurave për kryeqytetin.

“Unë besoj se është fantastike për të stimuluar ekonominë. Më përpara nuk ka qenë kështu, por sot, në Tiranë një nga burimet kryesore të të ardhurave, jo vetëm për Bashkinë, por edhe për qytetin është turizmi”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se në ditët e fundjavës, Tirana është shndërruar sot një ndër destinacionet më të rëndësishmit në Evropë për turizmin që njihet si “city break”. “Sot ka mjaftueshëm gjëra për të parë në Tiranë.

Ne erdhëm nga Pazari i Ri, le të themi versioni i Tiranës, i asaj që quhet “old town” dhe besoj që sa më shumë atraksione të tilla që ne po investojmë, aq më shumë stacione dhe aq më shumë zgjatje e kohës për turistët që kalojnë në qytetin tonë”, tha Veliaj duke shprehur bindjen se ky panair  është një mënyrë fantastike që bizneset të mësojnë nga njëri-tjetri.

Duke  vlerësuar ritmet e zhvillimit të turizmit, kreu i Bashkisë deklaroi se ka rritje të numrit të turistëve në kryeqytet, ndërkohë që kanë filluar edhe kërkesat e para për ndërtimin e strukturave hoteliere përgjatë bulevardit të ri.

“Më vjen mirë po ashtu që Tirana sot ka një fluks aplikimesh për më shumë hotele. Në pjesën më të madhe të javës në Tiranë nuk gjen vend, sidomos në hotelet me 4 dhe 5 yje. Ndaj dhe më vjen mirë që edhe në zonën e bulevardit të ri, ne tashmë kemi kërkesat e para për hoteleri dhe për shtretër shtesë në të gjithë qytetin e Tiranës.

Ndërkohë që unë besoj që na duhet të jemi edhe pak kreativë mbi ofertën tonë turistike”, tha ai. Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, do të qëndrojë i hapur nga datat 24-25 mars 2016.