Transmetuar më 24-03-2017, 19:22

Një 31 vjeçar shqiptar me precedentë të mëparshëm penalë të lidhur me drogën është arrestuar nga karabinierët në Milano me akuzën e rëndë të plagosjes në fytyrë të një tjetër shqiptari 21 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 janar dhe bëri bujë në qytetin verior për aktin e dhunshëm. I riu u plagos me armë zjarri dhe plumbi i hyri në fytyrë duke kaluar njërën faqe dhe duke i thyer disa dhëmbë. Ai u transportua menjëherë në spitalin Niguarda dhe iu nënshtrua operacionit për rindërtimin e nofullës dhe të gjuhës.

Për fat, 21 vjeçari shpëtoi. Arrestimi i autorit të dyshuar të plagosjes është kryer të martën por sot është konfirmuar nga policia italiane. Ai jetonte në Boviso Masciago, Brianza dhe sipas hetimeve me sa duket po kërkonte të zgjeronte fushën e aktivitetit të tij.

Hetimet e karabinierëve kishin dalë në përfundimin që atëherë kur ndodhi ngjarja se sherri nuk kishte ndodhur në rrugë, pasi policia  nuk gjeti gëzhoja ose shenja të tjera që të tregonin se kishte pasur të shtëna. Vrasja e mbetur në tentativë kishte ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes bashkëkombësve.