Transmetuar më 24-03-2017, 14:16

Shkodër, 24 mars 2017, NOA.al Sekuestrohen mijëra metër tokë në Shkodër të dyshuara se janë përfituar me falsifikim.

Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestrimin e 23.000 m2 tokë në fshatin Baks Rrjoll, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar nga ana e shtetasit Vatë Lari.

Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në bazë të kallëzimit të një shtetasi dhe deri në këtë fazë të veprimeve, ka krijuar dyshime të arsyeshme se përfituesi i kësaj prone, Vatë Lari, duke falsifikuar dokumentet zyrtarë të komunës dhe të komisionit të kthimit të tokave, është bërë në vitin 2013 pronar i sipërfaqes prej 23 hektarësh, të cilën e ka shitur menjëherë dhe më tej është larguar në drejtim të Francës.

Në bazë të hetimit të deritanishëm, rezulton se Zyra e Regjistrimit të pasurisë së paluajtshme Shkodër ka regjistruar pasurinë me sipërfaqe 23 000 m 2 , lloji i pasurisë arë, datë regjistrimi 18.09.2013.

Është administruar nga zyra e regjistrimit praktika që i përket regjistrimit të pasurisë. Nga praktika e administruar ka rezultuar se ka aplikuar për në ZVRPP Shkodër, Vate Lari më datë 18.09.2013. Në dosje ndodhet shkresa e komunës Velipojë, datë 04.11.2008 pa numër protokolli, ku është dërguar për regjistrim AMTP në emër të shtetasit Vate Kol Marashi, sipërfaqja totale 23000 m2. Po ashtu, në dosje gjendet edhe, ndër të tjera, vërtetimi i komunës Velipojë date 18.09.2013 ku thuhet se shtetasi Vate Gjelosh Lari është i njëjti person me Vate Kol Marashi.

Lidhur me këtë procedim është pyetur shtetasi Nikoll Marku me detyrën e kryetarit të komunës Velipojë dhe shtetasi Marash Keqi, punonjësi i zyrës së bujqësisë të cilët ndër të tjera ka deklaruar se nuk kanë nënshkruar në atë shkresë që i është përcjellë zyrës së regjistrimit për të përcjellë dokumentacionin për regjistrim AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) në emër të shtetasit Vat Kel Marashi(Vat Gjelosh Lari).

Për këtë arsye është kryer ekspertim grafik shkrimi lidhur me nënshkrimin e tyre tek shkresa përcjellëse e komunës Velipojë dhe nga akti i ekspertimit grafik shkrimi datë 14.11.2016 ka rezultuar se nuk janë shkruar nga shtetasit Nikoll Marku me cilësinë e kryetarit të komunës Velipopjë, dhe Marash Keqi.

Nga praktika e administruar në zyrën e regjistrimit ka rezultuar se pasuria e llojit arë e ndodhur në fshatin Baks Rrjoll, Shkodër me sipërfaqe 23 000 m2 e regjistruar në emër të shtetasit Vate Lari, i është shitur shtetasit N.S., mbi bazën e kontratës së shitjes datë 5 tetor 2013.

Për këtë arsye është pyetur shtetasi N.S., i cili ka deklaruar se këtë sipërfaqe toke ja ka blerë shtetasit Vat Lari, që është dhe që ndodhet prej vitesh në Francë bashkë me familjen e tij, sipas kontratës shitje pasurie të paluajtshme datë 11.10.2013.

Në këto kushte, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se shtetasi Vat Lari e ka përfituar pronësinë në bazë të dokumenteve të falsifikuara. Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës kërkoi nga gjykata vendosjen e sekuestros preventive për këtë pronë, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e qytetit.