Transmetuar më 24-03-2017, 13:39

Tiranë, 24 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama reagon ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili deklaroi sot se PD nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e 7 majit për Bashkinë e Kavajës.

Kreu i qeverisë shpreh keqardhje, por shton kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit.

“PD nuk hyn ne zgjedhje në Kavajë? Keqardhje për PD po kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do bëhen Drejtësia do bëhet”, shkruan Rama në Facebook.

Ditën e sotme Presidenti Bujar Nishani dekretoi 7 majin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, tha sot se për sa kohë që Edi Rama të jetë Kryeministër, Partia Demokratike nuk do marrë pjesë në zgjedhje.

“Vendimi i PD dhe i koalicionit edhe për zgjedhjet e Kavajës është njësoj si për ato të qershorit. Zgjedhje që diktohen nga krimi nuk do ketë. Zgjedhje do ketë vetëm me qeveri teknike”, u shpreh Paloka.

Zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, mbahen pas ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut Elvis Roshi, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit./a.y/noa.al