Transmetuar më 24-03-2017, 13:12

Krujë, 24 mars 2017, NOA.al- Rikthehen sërish maskat në vendin tonë. Mbrëmjen e djeshme, në Krastë të Krujës persona të armatosur i kanë dalë përpara një makine dhe e kanë grabitur.

Më konkretisht rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të enjtes, dy persona, i kanë dalë përpara dhe nën kërcënimin e armëve dhe me maska i kanë vjedhur mjetin tip Benz dhe një telefon I-Phone 6S, K.X., 18 vjeç, banues në Halil të Fushë-Krujës.

Personi i grabitur bëri denoncimin në polici direkt pas ngjarjes, duke vënë në lëvizje uniformat blu.

Në vijim të hetimeve të kryera u bë arrestimi i 27- vjeçarit Medi Karaj, banues në Fushë-Krujë, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale telefoni i vjedhur, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.

Nga hetimet e kryera deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, për autorin e dytë të dyshuar, efektivët e policisë kanë kryer kontrolle në banesa dhe krehur imtësisht të gjithë territorin, kur rreth orës 00:10, në Krastë kanë identifikuar dhe arrestuar një person cili lëvizte me armë dhe fishekë në mjet.

Konkretisht është kapur dhe arrestuar në flagrancë Azem Hasa 25 vjeç, banues në Fushë-Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Benz, në pronësi të shtetasit të tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale një armë zjarri automatik model AK 47 dhe dy krehëra me 60 fishekë model 56.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijimësi, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Krujës për veprat penale “Vjedhja me dhunë” në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./a.y/noa.al