Transmetuar më 24-03-2017, 11:06

Ishte një ndër premtimet që u përmend më shumë gjatë fushatës së tij elektorale. Bëhet fjalë për programin “Obamacare” për të cilin presidenti Donald Trump firmosi që në ditën e tij të parë të marrjes së detyrës për ta shfuqizuar. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar që ndryshimet të votohen ditën e sotme në Kongres, edhe pse një pjesë e republikanëve kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se pavarësisht nëse do të miratohet ose do të votohet kundër, projekt-ligji do të procedohet në Kongres ditën e sotme. Vendimi për të vijuar me planin u mor në orët e vona të së enjtes, ndërkohë që përfshirja e propozimit të Presidentit në rendin e ditës, u konfirmua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Edhe Presidenti Trump në një fjalim të mbajtur më herët në Kentucky, deklaroi se Obamacare është një katastrofë dhe se do t’u jepte qytetarëve atë që meritojnë.