Transmetuar më 24-03-2017, 09:41

Vlorë, 24 mars 2017, NOA.al- Trupi i pajetë i një personi është gjetur mëngjesin e sotëm në det në afërsi të ishullit të Sazanit.

Mësohet se kufoma është gjetur nga peshkatarët mëngjesin e sotëm, të cilët kanë lajmëruar policinë. Kufoma ra në rrjetën e peshkimit, duke tronditur peshkatarët.

Nuk dihet se kujt i përket kufoma, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se ka disa ditë në det. Trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet ekspertizës, ndërkohë që policia vijon hetimet

Policia tha zyrtarisht se, “Rreth orës 09:00, në det pranë Ishullit të Sazanit, është konstatuar një trup i pajetë, mbi sipërfaqen e ujit.

Menjëherë shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se trupi i pajetë ndodhet mbi sipërfaqen e ujit në afërsi të bregdetit, në pjesën e veriut të ishullit të Sazanit. Strukturat e Policisë së Vlorës bashkë me atë Kufitare si dhe Delta Forcë po punojnë për nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji. Po punohet për identifikimin e kufomës.”