Transmetuar më 23-03-2017, 15:54

Tiranë, 23 mars 2017, NOA.al- Deklaratat lidhur me problematikën e kanabisit, kanë rikthyer sërish përplasjet ditën e sotme, mes aleatëve qeverisës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjithçka pasi nënkryetari i LSI, Luan Rama, në seancën plenare të ditës së sotme deklaroi se Kuvendi nuk po ndjek zbatimin e ligjeve për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike.

“A ka vend këtu për të qenë krenarë se ne e paskemi bërë detyrën tonë dhe se zëdhënësi i LSI e paska lexuar gabim raportin e Departamentit të Shtetit? Dhe se hienat kanë dalë nga zyra e LSI-së? Ky është realiteti?”, është shprehur Rama.

Një problem tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe asgjësimi i lëndëve narkotike të sekuestruara, që është kryer në shkelje me ligjin. Sipas tij me rëndësi është që të reflektohet dhe të vihen në punë strukturat që parashikon ligj për t’i bërë kontrast fenomenit kriminal.

Rama tha se edhe droga që sekuestroi policia në Lazarat është asgjësuar në shkelje me ligjin. “Është e rëndësishme të reflektojmë dhe të vëmë në punë strukturat që parashikon ligji për t’i bërë kontrast fenomenit kriminal”, deklaroi Luan Rama.

Ky qëndrim i tij solli reagimin e deputetit socialist Vladimir Kosta, i cili thotë se Luan Rama foli sikur ka ardhur dje nga Hën, ndërsa kërkon që koalicioni të mos vijojë më.

Sipas tij, aleatët sillen sikur vetëm muajin e fundit janë bërë pjesë e qeverisë.

Më tej shton se vetëm këto javë po zbulojnë se reformat nuk janë bërë siç duhet dhe se kanabisi është problem.

“Ku ishin gjatë katër viteve? Luan Rama foli në Kuvend sikur ka mbërritur dje nga Hëna. Foli sikur nuk e njeh punën e Ministrisë se Brendshme kundër drogës. A nuk ka një zv/ministër në këtë institucion LSI? LSI nuk duhet ti shmanget përgjegjësisë në raport me drogat në Shqipëri. Kanë nisur “gjahun” për të gjetur fajtor kur edhe vetë ata janë nxitësit e këtij problemi duke mos denoncuar asnjë rast të vetëm në kohën e zhvillimit të këtij fenomeni”, shkruan Kosta në Facebook.

Ai thotë se nëse do ishte në vendin e Edi Ramës nuk do e lejonte më ketë shfaqje dhe sjellje të dëmshme për qeverinë dhe PS nga aleati.

Kosta konstaton se LSI flet dhe sillet sikur është në çadër dhe jo në Qeveri.

“Më mirë të marrë fund që tani koalicioni dhe të shkojmë në zgjedhje që tani, por pa këtë aleat dashakeq”, deklaron ai./a.y/noa.al