Transmetuar më 23-03-2017, 13:44

Tiranë, 23 mars 2017, NOA.al- Kryetari i Kuvendit mori pjesë në konferencën kombëtare të Urdhrit të Mjekut Veterinar me temë “Mjeku veterinar shqiptar dhe sfidat për të ardhmen” të organizuar nga Urdhri i Mjekut Veterinar dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës me rastin e Ditës Ndërkombëtare e Veterinarisë.

Në fjalën e rastit Meta u ndal në rëndësinë e krijimit të kësaj dege shkencore në vendin tonë e cila ndihmon në përmirësimin e produktit blegtoral si edhe në rritjen ekonomike të vendit.

“Dita e veterinerit trupëzon virtytet, vlerat profesionale dhe frymën e themeluesve të këtij shërbimi jashtëzakonisht të rëndësishëm me në krye profesor Bilal Golemi që në vitin 1928. Dita e veterinarisë sot përjeton edhe frytet e para të reformës së veterinarisë, që trajton shëndetin e kafshëve si pjesë e shëndetit publik dhe themeloi për herë të parë në çdo qark të vendit stacionet veterinare”, tha Meta.

Ai shtoi se shërbimi veterinar në vend po zhvillohet edhe më shumë, duke përmendur rastin e përballimit të sëmundjes së Dermatozës Modulare.

“Vitet që shkoi shërbimi veterinar përballi me sukses sëmundjen e rrezikshme dhe të panjohur më parë të ‘Dermatozës Modulare’, duke frenuar me sukses përhapjen dhe pasojat e saj. Dhe tashmë Ministria e Bujqësisë po kompenson kokë për kokë me lopë race, me prodhimtari dyfish më të lartë të gjithë fermerët e dëmtuar fatkeqësish nga kjo sëmundje. Falë angazhimit dhe përkushtimit të trupës veterinare u vaksinuan rreth 250 mijë lopë dhe u krijua një brez parandalues i qëndrueshëm”, tha kryetari i Kuvendit.

Meta i bëri gjithashtu thirrje të rinjve që ta shohin Universitetin Bujqësor të Shqipërisë më me shumë interes si një nga degët më potenciale të vendit.

“Për fat të mirë, tashmë është rikthyer interesi në mbështetje të këtij universiteti dhe për fat të mirë, ende ne kemi mjaft profesorë, mjaftë intelektual në këto fusha, të cilët nuk e kanë humbur pasionin e tyre për t’i mësuar më të rinjtë dhe për t’i ndihmuar që ta shikojnë këtë profesion jo vetëm si profesion fisnik, por edhe si një profesion që do të sigurojë të ardhura shumë më të mira duke punuar këtu në vendin tonë”, tha Meta.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe profesorë të njohur të veterinarisë në UBT./a.y/noa.al