Transmetuar më 23-03-2017, 11:58

Tiranë, 23 mars 2017, NOA.al- Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh rikonstruksionin e sheshit sportiv dhe këndit të lojërave në Njësinë 7 te parku te ish-Fusha e Aviacionit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi punimet për zbatimin e projektit dhe vlerësoi faktin se në një vit ka filluar puna për këndin e 13 të argëtimit dhe lojërave sportive.

“Vjet, në 1 qershor, premtuam se përveç këndit të lodrave te Liqeni Artificial, do kishim nga një kënd të tillë në të gjitha njësitë e Tiranës urbane. Ende pa u mbushur viti, e kemi tejkaluar premtimin. Do të thotë që, kur bashkia lejohet të punojë, jo vetëm mbaron këndet e mëdha të lodrave, si ai tek parku i Liqenit apo në Yzberisht, por shkon në çdo lagje. E dimë se jo të gjitha banorët e kanë mundësinë t’i çojnë fëmijët përditë te Liqeni, por tani fëmijët e tyre e kanë më kollaj të luajnë brenda territorit të lagjes së tyre, në komunitetin e tyre, pranë pallatit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se projekti te ish Fusha e Aviacionit përfshin ndërtimin e një këndi të ri lojërash, një fushe sportive për basketboll, një kënd force, por edhe rehabilitimin e gjithë zonës përreth, duke krijuar kushte çlodhëse për të gjithë banorët. “Do të fillojmë me rehabilitimin e gjysmës së ish Fushës së Aviacionit dhe do ta ndajmë investimin në dy pjesë. Pjesa e parë do të përfshijë rehabilitimin e fushave sportive dhe një kënd të ri lodrash për fëmijët, ku kemi mbjellë tashmë disa pemë. Për të rinjtë do të ketë fusha sportive, për më të moshuarit stola, parqe, por edhe një kënd force, për t’u marrë me aktivitet dhe sigurisht, për më të preferuarit e bashkisë, për fëmijët, një kënd lodrash që do e ketë zili gjithë Tirana, ashtu siç kemi bërë ndërhyrje edhe në këndet e tjera të lodrave”, u shpreh kryebashkiaku.

Ai shtoi se edhe në këtë rast, Bashkia e Tiranës është e vendosur të mbrojë interesin e qytetarëve dhe t’u ofrojë atyre mundësi argëtimi dhe rekreacioni, sidomos sa i takon më të vegjëlve të qytetit dhe të moshuarve.

“Sot, po i dalim zot hapësirës publike ashtu si privati i ka dalë zot hapësirës së tij. Unë besoj se ky qytet meriton të sfidohet me aktivitet sportiv dhe fizik për fëmijët, me një jetë e ushqim të shëndetshëm”, shtoi Veliaj.

Jetëzimi i ish-Fushës së Aviacionit përfshin ndërtimin e një këndi sportiv fushë basketbolli, këndit të lojërave dhe këndit të forcës. Përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur stola, hije etj.