Transmetuar më 23-03-2017, 11:56

Bota i ktheu sytë e tronditur nga Londra pas goditjes që kryeqyteti britanik mori në zemër të tij. Sulmi ndodhi në një qytet të përballur me terrorin edhe në të shkuarën, e për rrjedhojë të përgatitur ndaj tij me masa të forta sigurie e vigjilencë të lartë.

Pamjet tregojnë momentin kur një grua hidhet nga ura në ujërat e lumit Tamiz për t’i shpëtuar përplasjes me makinë. 

Ajo është një 29  vjeçare nga Rumania e cila ndodhej me pushime në Londër së bashku me të fejuarin e saj.  Andreea Cristea, me profesion arkitekte u shpëtua nga shërbimet e emergjencës dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Autori, identeti i të cilit ende nuk dihet mori përpara me mjetin e tij me dhjetëra këmbësorë, duke vrarë 2 prej tyre e plagosur të paktën 40 të tjerë. Ai vrau gjithashtu një oficer policie duke e goditur me thikë, përpara se të ekzekutohej nga autoritetet përpara godinës së parlamentit.

Shtatë persona janë arrestuar nga policia britanike në lidhje me sulmin tronditës. Me qindra detektivë kanë punuar përgjatë gjithë natës e kanë bastisur të paktën 6 banesa. Hetimet u përqendruan në zonën e Birmingemit, por kontrollet vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Zyrtarë të lartë të policisë pohuan se bindja e tyre është që atentatori ka vepruar i vetëm, i frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar, megjithatë po shohin edhe për bashkëpunëtorë të mundshëm./b.l/noa.al/