Transmetuar më 23-03-2017, 10:25

Nuk ndodh shpesh që këngëtarja e njohur e skenës shqiptare Aurela Gaçe të flasë për të zgjedhurin e jetës, babain e dy vajzave të saj Skerdin dhe dashurinë për të.

Ndodh rrallë, si sot, kur Aurela këtë lloj emocioni, dashurie e mirënjohjeje për bashkëshortin e saj do që ta ndajë me të gjithë. Nuk dihet nëse sot është një rast i veçantë apo një rast tejet i zakonshëm për Aurelën dhe Skerdin, por ajo që është e sigurt, është se ky mesazh nuk duhet humbur.

Mesazhi i Aurela Gaçes për Skerdin:

Rrallë shpreh atë që ndjej për ty në publik. Nuk besoj se të flasësh publikisht, tregon se e do më shumë njeriun me të cilin ndan ditët e jetës tënde. Por sot dua të flas. Shumë pak e dinë se çfarë mbështetje je ti për mua. Të gjithë më shohin si një njeri të fortë dhe mendojnë se s’kam nevojë për një sup ku të mbështetem. Unë e çdo artist ka nevojë për një njeri vizionar, që të shohë e të besojë në atë që je. Do të thotë dikush, po ti je vetë.

Mirë dakord, por askush nuk e di rraskapitjen e mundimin që më është dashur të përballoj e vetme për 20 vjet. Prindërit e dinë mirë çfarë kalon fëmija dhe mundohen me shpirt. Por jo gjithmonë munden nëse nuk janë brenda këtij profesioni. Mund të të ndihmojnë shpirtërisht sigurisht, edhe mua kjo gjë s’më ka munguar. Por më është dashur të bëj çdo gjë vetë mbas skene, edhe kur s’kuptoja si bëhej. Më është dashur të bëhem çdo gjë në mbas skene, menaxhere, producente ( mblidh të ardhura e vetëm harxho në atë që duhet për skenën).

Po, unë e shumë artistë të brezit tim as nuk e dinim se çdo të thotë menaxhim i aftësive të tua. Unë sot jam më e fortë sepse të kam ty që më sheh në sy e dashuron atë që unë jam. Unë s’kam pasur kurrë nevojë për një burrë që të më mbante me të ardhura sepse punoja vetë. Unë nuk do të pranoja kurrë të jetoja as 1 orë të jetës time me dikë që do të më bënte të ndihesha më pak se në çfarë besoj për veten. Dhe.. Unë nuk do të mundesha të bëj çfarë jam duke bërë, të jem live në këto përmasa, të luftoj në këtë treg ku playback-u të mbyt, e unë të arrij të jem në skenë me staf të vërtetë, të isha live çdo javë në skenë në Tiranë, kjo u bë e po bëhet sepse tani i ke marrë ti përsipër gjithë vështirësitë e mbasskenës e mua me jep mundësinë që unë të mendoj e të jem 100% në skenë vetëm të jap atë që më fali Zoti.

Përveç dashurisë që kam për ty, përveç asaj që më ke bërë të ndjej si qënie njerëzore, unë dua të tregoj se kam në krahë njeriun që kupton qenien time në skenë e më ndihmon në çdo hap të realizoj gjëra që në realitetin tonë unë i besoja të pamundura… Unë sot të falënderoj për gjithçka o babi i dy vajzave tona mrekulli. Faleminderit Zot për këtë sup ku mbështes kokën ❤.