Transmetuar më 22-03-2017, 12:51

Tiranë, 22 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama vizitoi një familje bektashie me rastin e festës së Sulltan Novruzit.

I shoqëruar nga ish- ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Rama shkëmbeu batuta me familjarët e të ndjerit Baba Reshat Bardhi, ndërsa u ndal më gjatë tek e vogla e shtëpisë, një vajzë rreth katër muajshe me flokë të zeza.

“Po kjo, kush është kjo, kjo është shoqja e Zahos. Po ti ke qenë kaq e vogël, e mbarë me flokë për t’ia pasur zili, gjithë këto flokë, Zahon e kemi qeros, e kemi si ‘Lulëkuqet mbi mure’ se e kemi edhe katunar Zahon, rri në Surrel. Rri me pulat e me lopët e me qenin atje, janë një grup shokësh e shoqesh atje”, u shpreh Rama./a.y/noa.al  Përmbledhje e vizitës së Kryeministrit në familjen e Baba Reshat Bardhit

Në festën e komunitetit bektashi, Sulltan Novruzit, Kryeministri Edi Rama vizitoi familjen e Baba Reshat Bardhit, Kryegjyshi i parë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane pas ndryshimit të regjimit dhe rikthimit të ushtrimit të lirë besimit fetar në vend. Historia e Bektashizmit në vend është ajo e vëllazërisë dhe urë mes të krishterëve dhe myslimanëve, u shpreh Kryeministri, duke i uruar komunitetit bektashi këtë ditë të shënuar dhe duke ftuar që ky mesazh, i përcjellë si një porosi e brezave, të ruhet si një e mirë e madhe e kombit.    

 “Baba Reshati ka qenë shumë i veçantë. Një njeri i jashtëzakonshëm. Ai u bë shkak që unë fillova të lexoj për Bektashizmin. Është histori fantastike dhe ka një përmbajtje shumë pozitive për kombin tonë, sepse u ngrit si urë mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe ishte porosi e vazhdueshme. Po t’i shohësh, i kam lexuar fletoret e Naim Frashërit, përsëritet shumë shpesh se mira e madhe që duhet ruajtur si sytë e ballit është vëllazëria mes të krishterëve dhe myslimanëve. Jo toleranca, por vëllazëria.”

Kryeministri pati një bisedë të lirë me familjarët, sidomos me Borën, vajzën e familjes, studente e vitit të parë. Bora tregoi si e kishte përjetuar procesin e reformuar të aplikimit për pranimin në universitet.  “Në fillim e mora pak me stres, por pastaj mora atë që doja,” – tha Bora.

 “Procesi ishte i vështirë, sepse ishte hera e parë. Por të gjithë ata që janë në vitin e parë me Borën janë në vendin që kanë merituar. Deri dje hyje nga dera me rezultate dhe nga penxherja me lekë, me parti dhe me mekanizma të tjerë. Sot kjo nuk është më e mundur, sepse i gjithë sistemi ka mijëra e mijëra sy që e ndjekin,” – u shpreh Kryeministri.

Përqendrimi tek dija e cilësia dhe jo tek numri i të rinjve me shkollë të lartë është thelbi i reformës në arsim. Vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, tha Kryeministri, por nga dija.

 “Problemi i gjithë këtyre viteve, - theksoi Kryeministri, - është që të gjithë donin universitet dhe ata që nuk futeshin dot, nuk kishin asnjë shans tjetër. Thuhet gjithmonë minierat, nafta janë sektorë strategjikë, por nuk ndërtuam një shtresë teknikësh të mesëm. E njëjta gjë është edhe në bujqësi. Është humbur shumë kohë. E gjitha është tek dija, sepse vendet dallohen nga ajo që dinë, jo nga ajo që kanë.” 

Në bisedë nuk munguan edhe më të vjetrit e familjet, të cilët u ndalën në përfitimin e tyre pensional. Si brez më i vjetër, atyre u duhet të përballonin kostot e së kaluarës, ndaj reforma e pensioneve, që shmangu kolapsin e skemës, i jep këtij brezi mundësi që nuk i patën  prindërit e tyre, pavarësisht kontributeve.    

 “Kishim një trashëgimi shumë të rëndë për skemën, sepse ishte rritur shumë numri i pensionisteve në raport me numrin e kontributorëve. Po shkonte drejt një pike ku mund të binte skema. Problem ishte edhe tavani 240 mijë lekë. Ky tavan u hoq dhe ata që dalin mbas reformës në pension përfitojnë në bazë të kontributeve. Ka individë në kategori të caktuara që kanë deri në 40% shtesë të pensionit. Shumë janë kosto të kaluarës, por e rëndësishme është që vendoset një bazë që brezi tjetër  i shtëpisë këtu, mos të përballet me të njëjtat histori në vitet e ardhshme.”

Edhe reforma në energji, tha Kryeministri, i ka dhënë fund një trashëgimie negative të së kaluarës.

“Për herë të parë po bëhen investime nga vetë kompania e shpërndarjes, e cila deri dje donte çdo vit 150 milionë dollarë për të mos u mbyllur dritat gjithandej, sepse ishte me humbje. Kompania nuk merr më para nga qeveria dhe ka mundësi edhe të investojë. Presim tani lidhjen me GPS e të gjithë faturistëve, që do të gjurmojë të gjitha lëvizjet e tyre dhe çdo gjë do të jetë e monitoruar.”

Në krah të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Kryeministri vlerësoi reformën në Policisë e Shtetit, e cila ka ndryshuar rrënjësisht paraqitjen dhe ka rritur forcën e saj.​