Transmetuar më 22-03-2017, 08:21

Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka uruar sot bektashinjtë në mbarë botën me rastin e festës së Sulltan Novruzit, e cila në Shqipëri është festë zyrtare.

Në fjalën e tij ai ka uruar bektashinjtë sa më shumë fat dhe mbarësi në familjet e tyre, ndërsa i ka ftuar që të ndajnë së bashku gëzimet dhe emocionet përmes eventeve të ndryshme të organizuara me rastin e kësaj feste.

Urimi i plotë i Haxhi Dede Edmond Brahimaj:

Të nderuar muhibe, dashamirës dhe miq të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane! Duke iu uruar fat e mbarësi në familjet tuaja, ju bëjmë me dije se festimet e Sulltan Novruzit këtë vit, kemi menduar t’i shtrijmë në kohë, përmes eventesh të ndryshëm.

Kështu, më 22 mars 2017, festimet nisin në orën 10.00, me koncert festiv, dorëzim dekoratash, celebrimi i liturgjisë së festës së Sulltan Novruzit dhe vizitave në Selinë e Shenjtë. Ndërsa, në orën 16.00 e në vazhdim do të kemi shfaqje të filmave nga veprimtari bektashiane. Duke iu ftuar të ndajmë së bashku, gëzimet dhe emocionet e këtyre veprimtarive, Zoti iu bekoftë!

Kryegjyshi Botëror Bektashian Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj./b.l/noa.al/