Transmetuar më 22-03-2017, 08:04

Sipas ekspertëve, konsumi i rregullt i kafesë, ul rrezikun e cizorës së mëlçisë me 44 përqind. Studiuesit e Universitetit të Southampton kanë bërë një kërkim të shtrirë gjatë në kohë, ku janë përfshirë rreth gjysmë milion burra dhe gra nga 6 vende të ndryshme.

Nga të dhënat e marra prej tyre, ata zbuluan se personat që konsumonin dy filxhanë kafeje gjatë ditës, kishin një përqindje më të ulët të vuanin nga ciroza e mëlçisë gjatë jetës se tyre, ose të vdisnin prej saj.

Ciroza e mëlçisë është një gjendje kur mëlçia dëmtohet, kryesisht si pasojë e përdorimit me kohë të gjatë të alkoolit, ose për shkak të infeksionit me hepatin C. Rreziku i kësaj sëmundje është i madh, sepse ajo mund të kthehet në kancer të mëlçisë dhe shkakton miliona vdekje në të gjithë botën.

Shkencëtarët mendojnë se ndikimi i kafesë është një rezultat shumë i mirë, krahasuar dhe me mjekimet që përdoren për të parandaluar sëmundjen. Kafeja përmban mbi 1 mijë përbërës, shumë prej të cilëve janë biologjikisht shumë të mirë për shëndetin tonë.

Për shkak të përhapjes së madhe që kafeja ka dhe ndikimeve të saj në shëndet, studimet lidhur me këtë substancë janë shtrirë në shumë fusha. Dhe duket se, përsa i përket shëndeti të mëlçisë, ajo ka rezultate mbrojtëse.