Transmetuar më 21-03-2017, 18:43

Ministri i Brendshëm në detyrë dhe kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, tha sot para një numri mbështetësish të majtë se opozita nuk do të lejohet që të mbajë peng vendin duke siguruar se zgjedhjet do të zhvillohen sipas planifikimit.

“Në asnjë vend nuk ndodh e as ne nuk do ta lejojmë që ata që dje ishin në pushtet e sot janë në çadër të mbajnë peng Shqipërinë, siç e mbajtën deri dje. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Dhe këtë do ta tregojmë më 18 Qershor”, – tha z.Tahiri.

Ka disa që thonë “Duam qeveri teknike” – dhe në fakt kjo është kokëposhtë, – tha Tahiri duke shtuar: “Sepse zgjedhjet bëhen për të drejtuar qeverinë, e këta na thonë “Na jepni qeverinë njëherë, pastaj shkojmë në zgjedhje”. Ndaj janë kokëposhtë”.

Ndërkohë, – vazhdoi ai, – ka disa të tjerë që thonë “Ka krizë, e meqë ka krizë ne kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve”.

Kurse shtroi pyetjen: “Po si mund të shtyhen zgjedhjet në emër të demokracisë? Sepse vetëm këtu dëgjon që ta bojkotosh procesin e zgjedhjeve është demokraci. Në asnjë vend të botës nuk ndodh e ne nuk kemi pse të shpikim rrotën”.

Më tej, z.Tahiri tha se “për kë thotë se “Zgjedhjet duhen shtyrë”, ne e kemi përgjigjen: jo në 17, jo në 19, por më 18 Qershor do shkojmë tek kutitë e votimit bashkë me çdo shqiptar që duhet të vendosë për rrugën tonë, për rrugën e të ardhmes, për Shqipërinë tonë”.

Ai akuzoi opozitën se po e kthen demokracinë kokëposhtë: “Dëgjojini ç’po thonë, nuk dalim nga çadra përveçse po të na jepni qeverinë. Se Shqipërinë e kanë trajtuar si plaçkë dje, e kështu e kërkojnë si plaçkë sot. Po shpikin kriza, kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve. Si mund të shtyhet dita e zgjedhjeve në emër të demokracisë? Vetëm këtu dëgjon se demokraci qenka të mos marrësh pjesë në zgjedhje, e jo e kundërta. Këto janë lojëra të atyre që duan pushtetin, jo qytetarët e as Shqipërinë”, u shpreh Tahiri.

Ai theksoi se socialistët nuk janë “njëlloj me ata që qeverisnin deri dje, që e plaçkitën Shqipërinë deri dje, që e mbajnë peng Shqipërinë sot dhe janë futur në çadër për ta mbajtur peng drejtësinë edhe nesër”.

Koalicioni, pa Metën?

Në fjalimin e tij të gjatë para aktivistëve të PS, Tahiri la të kuptohet se fati i koalicionit mund të mos jetë më binomi PS-LSI: “Ne do jemi të fortë, të gjithë bashkë, më 18 qershor te e vetmja kuti që ka vlerë: te kutia e zgjedhjeve, te kutia e votimit, në 18 qershor bashkë me shqiptarët. E në qoftë se iu kanë lodhur kokën me gjëegjëza nga më të ndryshmet, mos u lodhni më. Koalicioni ynë më i rëndësishëm është këtu. Koalicioni ynë më i rëndësishëm është në çdo lagje, në çdo pallat, në çdo rrugë, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo rrugicë. Koalicioni ynë i vetëm dhe më i rëndësishëm është kudo ku ka njerëz. Kudo ku ka shqiptarë të ndershëm që e duan Shqipërinë më të mirë, Tiranën më të mirë, që e duan lagjen e tyre më të mirë, që duan punë, duan dinjitet. Ky është koalicioni i shqiptarëve që e duan Shqipërinë më të mirë për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjithë ata që do jetojnë këtu nesër. Koalicioni ynë është me shqiptarët. Koalicioni ynë është për Shqipërinë që duam, me ata që duan shtet, me ata që duan drejtësi, me ata që duan punë, që duan paga, që duan dinjitet. Koalicioni ynë më i madh është me njerëzit që e duan Shqipërinë më të mirë, jo më të lirë. Shtetin e duan më të fortë, jo më të shpartalluar. Gjyqtarin të pa korruptuar, jo kokë e këmbë të korruptuar. Nuk janë partitë, miqtë e mi, janë njerëzit, jemi ne këtu. Ne që në çatinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë në 18 qershor do fitojmë të gjithë bashkë”. /a.y/noa.al