Transmetuar më 21-03-2017, 17:28

Tiranë, 21 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se mungesa e drejtësisë është një nga sëmundjet më të rënda, që kërkon trajtim të gjatë, për të gjetur recetën e duhur.

Në këtë drejtim ai shton se reformat janë e vetmja gjë për të adresuar problemin e sëmundjeve sistemime në organizmin e një shoqërie që ka ambicien për t’u zhvilluar dhe për të shkuar përpara.

Rama deklaron se nëse dikur mendonte se drejtësia jonë vuan nga një kancer dhe organizmi i shtetit ishte kapur në gjithë pjesët vitale të tij, sot tha ai është më i bindur se dje se e vetmja rrugë për të trajtuar një sëmundje kaq të rëndë është një operacion shumë i thellë.

“E njëjta gjë vlen edhe me atë që bëmë me reformën në arsim. Sistemi arsimor ishte i molepsur nga një kancer padrejtësie, pakonkurrushmërie, korrupsioni dhe nga një energji shumë e ulët për shkak se sistemi demotivonte nxënësit, mësuesit, prindërit, por fakti që sot jemi këtu përballë këtyre heronjve të ditëve tona, sepse të tillë janë ata që nuk kërkojnë justifikime, por kapërcejnë çdo pengesë për t’ia dalë, tregon se përtej të gjitha vështirësive asgjë nuk është e pamundur, nëse një njeri apo shoqëri është vendosmërisht në rrugën për të realizuar ëndrrën e vetë”, u shpreh Rama.

Duke folur pasditen e sotme në një takim me maturantët me medalje të arta, kreu i qeverisë tha se edhe kjo ceremoni ka një histori padrejtësie në sfond pasi qysh prej 2012 asnjë prej maturantëve që plotësonin kërkesën për të marrë medalje të artë, nuk mundën ta marrin.

Rama tha se në atë lëmsh u mor përgjigje se institucioni i Presidentit nuk mund të procedonte, pasi medalja e artë për maturantët nuk parashikohej në ligjin për medaljet, dekorata etj.

“U detyruam të marrim një nismë ligjore që u kthye më në fund në ligj dhe që bën të mundur rinisjen, rilindjen e kësaj tradite. Shpresoj në nivelin më të lartë, ku Kryeministri i vendit u dorëzon maturantëve me të gjitha 10 gjatë gjithë kohës, këtë vlerësim simbolik për punën e tre të jashtëzakonshme”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Më tej ai tha se të qenit i varfër nuk është argument për të mos pasur një ëndërr./a.y/noa.al