Transmetuar më 21-03-2017, 13:37

Gazeta Fjala ka siguruar listën me emrat e mbi 30 figurave publike në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, të etiketuar si “Tradhtarë”, që duhen ekzekutuar nga Lëvizja “Syri i Popullit”.

Në të gjenden emrat e politikanëve prej viteve të 80-ta, politikanë të qeverisë në ekzil dhe të fondit të 3 përqindëshit të përfshirë aty me arsyen “përfitues prej djersës së popullit në diasporë”, pastaj politikanët e Grupit të Unitetit 2005-2007, me arsyen se ishin “pranues të dokumentit antishqiptar të Ahtisaarit”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, Kryeparlamentari Kadri Veseli, e kreu i AKR-së Behgjet Pacolli janë vetëm disa nga personat që ishin në listën e ekzekutimit.

Gjithashtu, në këtë listë gjenden edhe personat kyç që janë marrë me decentralizimin dhe enklavat serbe. Por, edhe politikanë të opozitës së tashme dhe njerëz të mediave e publicistë.

Lëvizja “Syri i Popullit”, sipas përshkrimit në këtë prememorje, ka vëzhguar në mënyrë sistematike të gjitha personalitetet publike, në gjithë hapësirën shqiptare (edhe në Shqipëri), pushtetin lokal dhe qendrorë, si dhe klerikët fetarë. Shkruan Gazeta Fjala.

“Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar. Do të hakmerret mbi gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, shkruan ndër të tjera në prememorjen e organizatës “Syri i Popullit”.

Përveq kësaj, në dokument thuhet se kjo organizatë është mjaftë mirë e organizuar që nga Shtabi i përgjithshëm e deri tek grupet guerile.

“Syri i Popullit”, thuhet të jetë krijuar nga Lëvizja për Ribashkim Kombëtar (LPRK), për shkak se sipas përshkrimit të organizatës, ishte imperativ i kohës dhe domosdoshmëri.

Gazeta Fjala ka siguruar edhe listën e delegatëve të Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar, të nënshkruar nga vetë delegatët me stilolaps.

Në emër të angazhimit për bashkim kombëtar, LPRK dyshohet se me ide radikale po i nxitë anëtarët e vet për veprime të dhunshme ndaj politikanëve në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.