Transmetuar më 21-03-2017, 12:50

E ardhmja është e vendosur: Unai Emery do të largohet nga Paris Saint Germain në fund të sezonit. Një vendim i pashmangshëm i sheikëve që zotërojnë skuadrën franceze, pas disfatës së pabesueshme 6-1 në “Camp Nou” përballë Barcelonës, që u shoqërua edhe me eliminimin e papritur nga Liga e Kampionëve.

Pas më pak se një viti, drejtuesit e klubit janë vënë në kërkim të pasardhësit të trajnerit dhe i kanë hedhur sytë nga Arsene Wenger. Sipas tabloidit “The Sun”, trajneri francez që po përjeton momentin më të vështirë në karrierë me Arsenalin është kandidati kryesor.

Wenger është drejt largimit nga “topçinjtë” pas 21 viteve punë. Tifozët kërkojnë shkarkimin e tij, e pavarësisht të gjithave drejtuesit e klubit anglez njoftuan se do të jetë vetë trajneri ai që do të vendosë për të ardhmen. Kësaj i shtohet edhe fakti që në ecurinë e dobët të skuadrës ka ndikuar edhe krisja me lojtarët kryesorë të Arsenalit.

Për këtë arsye, edhe Wenger duket i bindur se tashmë ka ardhur koha të nisë një aventurë të re. Franca do të ishte ambienti ideal, ndërsa Paris Saint Germain skuadra më e mirë e mundshme, për të ndërtuar një projekt fitues dhe afatgjatë. Emërimi në krye të stolit parizien është një alternativë që pëlqehet nga sheikët, por mbi të gjitha nga yjet e Arsenalit, si Ozil e Sanchez, të cilët nuk preferojnë të bashkëpunojnë më me Ansene Wenger.