Transmetuar më 21-03-2017, 12:32

Tiranë, 21 mars 2017, NOA.al- Kryeparlamentari Ilir Meta doli sot në krah të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, në përurimin e shkollës 9- vjeçare “Kongresi i Lushnjes” në zonën e Xhamllikut në kryeqytet.

Prej kohësh flitet për një ftohje mes dy aleatëve Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, por kjo dalje publike e kreut të LSI duket se flet për një qetësim të ujërave mes dy partive bashkëqeverisëse.

Meta tha në fjalën e tij se në këtë shkollë ka ndjekur klasën e parë dhe i ka dhuruar lulet mësueses së parë, ndërsa sot i’a dhuroi drejtoreshës së shkollës.

Ai tha gjithashtu se në këtë shkollë edhe mamaja e tij ka qenë mësuese, ndërsa kërkoi nga fëmijët që t’i duan më shumë mësueset, pasi ato sakrifikojnë shumë për nxënësit.

Sipas tij, e ardhmja e fëmijëve është e ardhmja e Shqipërisë. Ai shtoi se nga kjo shkollë shpreson që në të ardhmen të takohen më shumë politikanë të ardhshëm në këtë të cilët të jenë “më të mirë se ne, më tolerantë se ne. Në mënyrë që fëmijët të shohin sa më pak politikanë dhe debate politikanësh në televizion, e të shohin më shumë filma dhe eksplorer”.

Por ai thumboi edhe kryebashkiakun Veliaj dhe të kaluarën e tij si shitës fiqsh, ““Dua të falënderoj Lali Erin për kujdesin që tregoi për shkollën “Kongresi i Lushnjes”. Disa u mërzitën se e panë me duar bosh dhe kërkuan fiq, tani unë ju siguroi që po dolët me 10 do të vijnë dhe fiqtë këtu do vijmë dhe ne prapë këtu”. 

Në fjalën e tij kryebashkiaku Erion Veliaj falënderoi ata që ndihmuan për rikonstruksionin e kësaj shkolle si dhe stafin mësimdhënës për sakrificat e tyre.

Veliaj tha se kur njerëzit bashkëpunojnë dhe fokusi është te puna mund të bëhen gjëra të mrekullueshme.

“Më vjen mirë që nën këtë shembull bashkëpunimi jam këtu me një mik të nderuar, ish nxënës i kësaj shkolle i cili ka ndjekur me vëmendje punën në Tiranë. Dhe sa herë që dëgjoj debatet politike, ku sigurisht kur njerëzit kanë përgjegjësi marrin përsipër edhe kritik, por e rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë maksimumin dhe të bëjmë çmos që çdo kritikë të reflektohet dhe çdo ditë puna të ketë progres”, tha Veliaj duke shtuar se interesi i qytetarëve duhet të jetë i pari.

Duke garantuar për vijimin e punës për ndërtimin e shkollave të reja edhe në zona të tjera, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi dhe rëndësinë e marrjes së vendimeve të duhura për qytetin dhe për shtetin.

Rreth 665 nxënës të shkollës Kongresi i Lushnjës do të kenë mundësi që të studiojnë në mjedise krejtësisht të rikonstruktuara të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme./a.y/noa.al