Transmetuar më 21-03-2017, 12:06

Prishtinë, 21 mars 2017, NOA.ala- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në lançimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë.

Presidenti tha  se ky është një hap i rëndësishëm për vetë fondacionin, për partitë politike, për jetën politike dhe për tërë Kosovën.

“Në dallim nga e kaluara kur kishim nevojë për përkrahje në rindërtimin e vendit nga lufta, sot kemi nevojë për përkrahje më specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Sot kemi nevojë për përkrahje në projektet për fuqizimin e demokracisë në Kosovë, të fuqizimit të pluralizmit politik të gjeneratave që do të vijnë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti tha se fondacioni ka punuar në promovimin e pluralizmit të ideve, të demokracisë shumë partiake dhe për parimin që betejat politike të zhvillohen rreth politikave, ideologjive apo ideve në përgjithësi dhe jo të jenë beteja për personalitetet apo mes personaliteteve.

“Kam hedhur idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive, e që thotë që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nga organet e drejtësisë nuk do të lejohen as të hyjnë në listat për deputetë dhe as të marrin poste në institucionet publike”, tha Thaçi.

Ky hap, sipas Presidentit, do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në vetë partitë politike, në aspiratën e tyre që të punojnë për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ai shtoi se eksperiencat e fituara do të jenë jetike për të ardhmen demokratike të Kosovës, që do të edukojmë gjeneratat e reja të politikanëve për diplomacinë dhe për politikën në përgjithësi.

“Më saktësisht, kjo do të thotë që gjeneratat e reja të politikanëve të ndeshen rreth politikave, rreth ideve, rreth ideologjive… e jo të hyjnë në konflikt për shkak të personaliteteve apo individëve. Si shoqëri kemi nevojë për të zhvilluar tutje praktikën e përballjes së politikave dhe të ideve”, deklaroi Thaçi.

Vetëm duke ballafaquar idetë tona, vizionet tona, Presidenti tha se do të gjendet rruga më e mirë për Kosovën.

“Partitë politike në Kosovë kanë treguar se përkundër mospajtimeve që kanë mes tyre, megjithatë, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme për Kosovën, atëherë këto dinë të bëhen bashkë dhe të bashkërendojnë veprimet e tyre”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi shtoi se Kosovën e presin vendime të rëndësishme, që kërkojnë bashkërendim të veprimeve.

Këto, sipas Presidentit, gjithashtu janë momente kur partitë politike duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të dëshmojnë përsëri se klasa politike në Kosovë di të shikojë përtej interesave të veta politike e partiake dhe të vendos se çfarë është më e mira për Kosovën dhe qytetarët e saj.