Transmetuar më 20-03-2017, 19:26

Pas sallatave të ndryshme, turshive dhe lakrës, pranvera është koha më e mirë për t’u rifreskuar me qepë të njoma. Kjo perime është një bombë e vërtetë vitaminash që ju ruan nga sëmundjet e ndryshme dhe forcon shëndetin tuaj.

Qepa e njomë mund të hahet e freskët ose si përbërës për gjellëra. Çfarëdo që vendosni, ju do të pasuroni trupin tuaj me vitamina, minerale dhe fitokimikale, që e bën atë një nga ushqimet më të shëndetshme.

Hulumtimet tregojnë se vetëm një kërcell i qepës së njomë përmban rreth 20 mikrogramë të vitaminës K dhe 1.6 miligramë vitaminë C. Të dyja këto vitamina janë thelbësore për rritjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e fuqisë së kockave dhe shëndetit. 

Nëse ushqimi juaj nuk përmban sasi të mjaftueshme të këtyre vitaminave, rriten gjasat e zhvillimit të osteoporozës, dhe një përqindje më e lartë e brishtësisë së kockave. Qepa e njomë është e shkëlqyeshme edhe për shëndetin e syrit.

Kërcelli i qepës së re përmban 24 mikrogramë të vitaminës A në formën e provitaminës A, e cila në organizëm shndërrohet në retinol, formë aktive e vitaminës. Është zbuluar se qepët e reja mbrojnë sytë edhe nga inflamacioni.

Vitamina A dhe C, të cilat mund të gjenden në ushqime të tilla si qepët, kanë veti të forta antioksidante. Një dietë e pasur me ushqime me nivele të larta të antioksidantëve është e lidhur me rrezikun e reduktuar të sëmundjeve të zemrës. Vitamina C mund të ndihmojë në uljen e presionit të lartë të gjakut e që, nga ana tjetër, mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.