Transmetuar më 20-03-2017, 11:26

U nënshkrua sot Pakti Kombëtar i Mirëqenies Sociale i cili bën bashkë për herë të parë të gjithë partnerët që veprojnë në fushën sociale duke synuar ngritjen e një sistemi të integruar përkujdesi shoqëror koherent dhe të qëndrueshëm duke koordinuar angazhimet dhe unifikuar politikat, buxhetet dhe kapacitetet në Nivel Kombëtar.

I pranishëm në Konferencën Kombëtare “Impakti i Mirëqenies sociale-Për një shoqëri që siguron shërbime sociale për çdo qytetar”, ishte dhe kryeministri Rama, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi si dhe ambasadorët e vendeve mbështetëse të reformës së shërbimeve.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi reformën e ndërmarrë gjatë këtyre viteve në shërbim të njerëzve në nevojë. Duke u ndalur  te punësimi, Veliaj theksoi se ndryshe nga qeverisja e shkuar ku zyrat e punës ishin selitë e partive politike, tashmë ato janë  funksionale dhe në shërbim të atyre që vërtet kanë nevojë. “Zyra e punës në Shqipëri ishte zyra e punës e partisë në koalicion me seli të madhe në qendër të Tiranës, e partisë që të shpërblente me mënyrën se si ishe sjellë në fushatë , ishte një shaka e madhe të flisje për zyra pune. Zyrat e punës që unë gjeta ishin në fakt apartamente të marra me qira në shokët e ministrit. Ja ku jemi sot, Kemi të hapura sot 105 kantiere, rreth 10 mijë veta të punësuar shumica prej tyre nga zyrat e punës”, tha Veliaj.