Transmetuar më 19-03-2017, 21:15

Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Braçanj të Devollit, gjatë ditë së djeshme ku pas një konflikti me sende të forta gjeti vdekjen një person dhe u plagos një tjetër.

Është arrestuar gjithashtu edhe autori i dyshuar i ngjarjes, si dhe njëri prej të dëmtuarve, për veprën penale "Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore".

Policia tha sonte se në pranga ka rënë David Myrte, 25-vjeç, banues në fshatin Braçanj-Devoll.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Braçanj, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta Z.A, 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec, D.T., 39 vjeç, banues në Vreshtas – Maliq dhe Mendar Burnazi, 42 vjeç, banues në Nizhavec Pogradec.

Si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në spitalin e Korçës, shtetasi Z.A., si dhe mori mjekimin e nevojshëm Mendar Burnazi.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, u bë arrestimi edhe i Mendar Burnazit, pasi dyshohet të ketë deklaruar të dhëna të rreme përpara organeve policore, për mënyrën e ndodhjes së ngjarjes.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: "Vrasja me paramendim" dhe "Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim" si edhe "Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore". /a.k/noa.al/