Transmetuar më 19-03-2017, 18:05

Në foto: Nishani sot para mediave

Presidenti i Republikës, në një dalje publike pasditen e së dielës, deklaroi se është i detyruar nga Kushtetuta që ta pranojë emrin e z.Fatmir Xhafa për postin e ministrit të Punëve të Brendshme, por nëse do të kishte kompetencë do ta refuzonte atë.

Nishani në daljen e tij publike, e cilësoi si shqetësuese situatën aktuale në vend duke thënë se ka një polarizim të madh politik dhe shoqëror.

Më tej Nishani u ndal te ndryshimet në qeveri duke marrë në analizë postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Ai kritikoi faktin se ka trafik shqetësues të lëndëve narkotike dhe foli për lidhje të disa individëve të krimit me politikën.

Më tej ai foli për rëndësinë e këtij posti edhe për garantimin e sigurisë dhe rendit në zgjedhje, sidomos sa i përket rrezikut për vjedhje votash si dhe për përfshirjen e mundshme të personave të inkriminuar.

Presidenti foli dhe për kandidaturën e Fatmir Xhafës për ministër të Brendshëm. Ai foli për dëshmi shumë shqetësuese sipas tij, të njerëzve që e akuzojnë Fatmir Xhafën për ushtrim torture në periudhën e diktaturës komuniste kur kandidati për ministër ishte hetues.

“Në këto rrethana, kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por, Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht i cili përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i plotësimit të kritereve për të qenë deputet. Në rast se Kushtetuta do t’ia njihte të drejtën Presidentit për t’i rrëzuar propozimet e Kryeministrit, bazuar nga ato që thashë, unë do ta refuzoja kandidaturën e paraqitur nga kryeministri”, – tha z.Nishani.

Ai i bëri thirrje Edi Ramës dhe Parlamentit që ta rrëzojnë kandidaturën e z.Xhafa.

“Ajo që unë do t’i kërkoja Parlamentit, ka të bëjë me prioritetet aktuale për depolitizimin e Policisë së Shtetit. Kjo është një emergjencë”, – tha më tej Nishani. 

Pas mesazhit për kombin, z.Nishani foli edhe për pyetje të shtruara nga gazetarët në këtë konferencë për shtyp.

Presidenti komentoi qëndrimin e opozitës në të cilën ka bërë pjesë deri pesë vjet më parë kur erdhi në krye të shtetit, mbi protestën mbi njëmujore të opozitës me kërkesën për qeveri teknike.

Ai tha se ka marrë përsipër të mos përfshihet dhe mos komentojë qëndrimet e forcave politike duke shtuar se kjo është një e drejtë legjitime.

Kurse për qeverinë teknike tha se si President nuk mund ta gjykoj si të nevojshme apo të panevojshme”.

“Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm në tryezë bisedimesh nëse palët do ta bëjnë një gjë të tillë”, – vijoi Presidenti duke shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në këto negociata, pa ndërhyrje të njëanshmërisë politike.

“Shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm në dakordësi të forcave politike”, – tha z.Nishani”. Ai shtoi se në vend ka precedentë të tillë.

Kurse ftoi palët politike që ta ulin tensionin politik duke kërkuar që të mos ketë akte dhe veprime që “eskalojnë tensionin politik”.

Në këtë pikë Nishani tha se do t’ia kërkonte këtë më shumë mazhorancës sepse sipas tij ajo ka më shumë hapësira dhe më shumë mekanizma për ta bërë këtë.

Nishani foli edhe për mundësinë që të rikandidojë për një mandat të dytë presidencial.

Ai mohoi të ketë kërkuar rikandidim, duke sqaruar se ka shprehur vetëm gatishmërinë që të kontribuonte për një mandat të dytë, duke qartësuar se nuk ka ndërmend të kërkojë firmat e deputetëve për ta votuar si President.

Ai tha se mund ta bëjë këtë vetëm nëse do të ketë një kërkesë nga grup deputetësh që mund ta propozojnë”

“Nëse do të ketë një propozim të tillë do ta gjykoj me realizëm dhe patjetër nëse do të jetë për të marrë përgjegjësi politike do të vijoj të jem i gatshëm”. /a.b/noa.al/ 

KONFERENCA E PLOTE PER SHTYP

Pyetje (Sonil Frashëri, Ora News): Zoti President, ju e parashtruat situatën e rënduar politike në hyrje të fjalës suaj. Mendoni se kjo deklaratë e juaja që do ta refuzonit këtë kandidaturë për ministër nëse do të ishte në kompetencën tuaj do ta rëndojë më shumë situatën politike?

Presidenti Nishani: Jo nuk besoj, sepse nëse Kushtetuta do t’ia jepte këtë të drejtë Presidentit për të refuzuar një kandidaturë e cila ka këtë situatë dhe ambient publik dhe politik aktualisht në vend dhe në raport me polarizimin e shoqërisë shqiptare, unë besoj që edhe përgjegjshmëria edhe angazhimi në radhë të parë i propozuesit të ministrit dhe i atij që do të kishte rastin ta miratonte, nëse do të ishte Presidenti dhe jo Parlamenti, me siguri do të shkonim drejt një kandidature e cila do të qetësonte dhe të ulte situatën polarizuese të vendit dhe do të adresonte vërtetë në mënyrë transparente edhe rriste besimin e palëve në proceset politike që janë sot kaq të rëndësishme dhe do të afronte më shumë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek procesi. Kemi procese të rëndësishme përpara ndaj dhe që në krye të herës m’u desh të nënvizoja rrethanat në të cilat kemi këtë proces të emërimit të ministrave të rinj.

Pyetje (Elona Meço, Top Channel): Mirëbrëma! Unë kam dy pyetje Zoti President. Së pari, a jeni dakord ju me idenë e qeverisë teknike në mënyrë që të ulen tensionet politike apo situata që ju e përshkruat si kritike. Pyetja e dytë, përse nuk po e dekretoni datën e zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës ku në rastin e zotit Shykri Xhelili ju e dekretuat menjëherë pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Po prisni zbardhjen e vendimit? Faleminderit!

Presidenti Nishani: Faleminderit Elona për pyetjen, veçanërisht për pyetjen e dytë sepse shpeshherë, edhe ju e dini më mirë si një gazetare me shumë eksperiencë, ngaqë nuk merret informacioni i duhur ka dhe keqinterpretime, apo deformime në segmente të caktuara të shtypit që përcillen më pas ashtu të deformuara tek opinioni publik prandaj ju falënderoj për pyetjen që me jepni mundësinë edhe për ta sqaruar për median dhe për opinionin. Në lidhje me pyetjen e parë ‘të qeverisë teknike’, kjo një kërkesë politike e opozitës, ashtu siç është një qëndrim politik i qeverisë refuzimi i saj. Si President i Republikës kam qëndruar fort në pozicionin kushtetues dhe ligjor jo vetëm neutral, por tërësisht edhe të ftohtë për të mos u përfshirë, por as për të mos komentuar qëndrime, deklarata dhe akte politike të forcave politike. Pa dyshim që është e drejtë e çdo force politike të artikulojë dhe të ndërrmarrë veprime dhe akte të karakterit politik. Një ndër to është dhe kërkesa që ka adresuar opozita për ‘qeveri teknike’. Por, kjo mbetet tërësisht një çështje midis partive politike. Si President i Republikës nuk mund të gjykoj si të nevojshme apo të panevojshme kërkesën e një partie politike. Kjo është një çështje që zgjidhet vetëm në tryezën e partive politike nëse do të ketë një dakordësi të palëve për një qeveri teknike. Nëse palët kërkojnë që kjo tryezë e bisedimeve dhe e negociimit të lehtësohet nga Presidenti i Republikës, Presidenti i Republikës është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend pa ndërhyrë asnjëherë dhe pa imponuar asnjë qëndrim të asnjërës prej palëve politike në vend. Në lidhje me dekretimin e zgjedhjeve në bashkinë e Kavajës, po e nis nga rasti i Peshkopisë. Kam dekretuar datën e zgjedhjeve brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese në mënyrë zyrtare, me shkrim, Gjykata Kushtetuese ka dërguar njoftim tek Presidenti i Republikës mbi përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë moment Presidenti është i detyruar në bazë të Kushtetutës që brenda 48 orësh të shpallë një nga datat që kodi parashikon për zgjedhjet dhe kam zgjedhur në atë kohë datën më të largët me qëllimin e mirë që t’i lejë kohë institucioneve administrative të procesit zgjedhur dhe partive politike për t’u organizuar. Në rastin konkret deri në ditën e sotme, deri në këtë moment që ne flasim së bashku nuk ka asnjë njoftim qoftë dhe si ai i rastit të Dibrës, të dërguar tek Presidenti i Republikës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: (Aurora Golemi, News 24): Zoti President, ju e keni konstatuar apo thjesht keni dëgjuar akuza publike që i adresohen zotit Xhafaj? Faleminderit!

Presidenti Nishani: Pa dyshim që Presidenti i Republikës ka mekanizmat për të kërkuar informacion nga institucionet e shtetit shqiptar dhe këto informacione janë të fokusuara në çështje konkrete që lidhen në radhë të parë me sigurinë kombëtare të vendit edhe me garancitë e integritetit të personit për të mos cënuar sigurinë kombëtare të vendit. Rastet e deklaratave janë deklarata publike dhe janë dëshmi, dëshmi publike. Pa dyshim që do të ishte e udhës në gjykimin tim që Kushtetuta të kishte parashikuar një hapësirë edhe kohore në këtë rast, që në rast se ka informacione që mund të cënojnë edhe çështje të sigurisë kombëtare apo dhe dëshmi publike si këto që kanë dalë këto ditë në lidhje me kandidaturën e Ministrit të Brendshëm, t’i jepte mundësi institucioneve përkatëse për t’i verifikuar ato. Në rastin konkret do të ishte e nevojshme në gjykimin tim një hetim parlamentar sepse kandidatura e Ministrit të Brendshëm, vjen nga Parlamenti si anëtar i Parlamentit. Ka pasur një pozicion shumë të rëndësishëm në procesin e hartimit të reformës në drejtësi, vazhdon të ketë një pozicion shumë të rëndësishëm përsa kohë është në drejtimin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe ky hetim apo investigim parlamentar, ndoshta hetimi ka konotacionin e investigimit penal, por investigimi parlamentar në rastin konkret do të ishte mjaft e udhës në mënyrë që t’i qartësonte gjërat dhe të mos linte akuza të padrejta për individë të cakuar ose të verifikonte këto dëshmi publik që janë. Ky është një proces, i cili nuk mund të realizohet për shkak të legjitimit të kushteve që ka Kushtetuta e afatit të dekretimit të ministrave. Pra, Kushtetuta është strikte dhe Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë numër një të zbatojë atë që është betuar ditën e parë dhe “Kurani” dhe “Bibla” e Presidentit të Republikës është Kushtetuta e vendit. Ky ka qenë dhe do të jetë qëndrimi im i palëkundur deri në ditën e fundit në zyrën e Presidentit të Republikës. Pa dyshim që Presidenti i Republikës si një vokacion dhe vokal publik ka të drejtën për të adresuar qëndrime dhe pikëpamjet e tij në radhë të parë tek opinioni publik, dhe së dyti, tek institucionet përkatëse në rastin e çështjes në fjalë tek Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: (Sonil Frashëri, Ora News): Duke qenë se në tryeza politike është diskutuar mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të ngërçit politik, a është kushtetuese shtyrja e mundshme e zgjedhjeve? Dhe për Ju të ishte një mundësi për ta zgjidhur krizën politike që është aktualisht?

Presidenti Nishani: Tensioni i lartë politik që është në vend nuk favorizon fushatën e pritshme elektorale. Kjo është evidente. Ajo që unë do t’ubëja thirrje të gjithë aktorëve vendmarrës do të ishte për të gjetur gjuhën e përbashkët për ta ulur këtë tension të lartë politik dhe për të mos e kaluar vendin në një situatë krize politike. Presidenti i Republikës është i gatshëm të ofrojë të gjithë kontributin e tij për sa e lejon Kushtetuta e vendit dhe për sa e lejon tagri i Tij kushtetues. Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve nuk është një çështje që varet te Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës e ka përmbushur detyrën e Tij kushtetuese duke dekretuar datën e zgjedhjeve. Shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm me dakordësinë e palëve politike në Parlament, në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe në këtë rast në Shqipëri ka precedentë. Nuk është se nuk ka precedentë në Shqipëri. Ajo që unë do të kërkoja më shumë se çdo formalitet tjetër, në gjykimin tim ka të bëjë me angazhime konkrete dhe të drejtëpërdrejta të aktorëve politikë në vend për të ulur tensionin politik dhe jo për ta përshkallëzuar atë më shumë. Nuk është në shërbim të vendit në radhë të parë, të qytetarëve të vendit, por as edhe të partive politike dhe të proceseve që do të vijojnë përshkallëzimi i tensionit politik. Akte dhe veprime dhe vendime që përshkallëzojnë tensionin politik nukjanë pozitive dhe në këtë rast, jashtë çdo anësimi, unë do t’i adresohesha në mirëkuptim më së shumti mazhorancës, sepse është mazhoranca, e cila ka më shumë mekanizma, më shumë hapësirë dhe mirëkuptohet më shumë në opinionin publik për të ofruar ambientin, për të ofruar rrethanat dhe kontekstin më të qetë, më mirëkuptues dhe më paqtues të vendit.

Pyetje (Jolldiz Mitro, Televizoni Klan): Zoti Nishani, së shpejti nis procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri. Do të kërkoni firmat e deputetëve për një mandat të dytë, pasi keni shprehur dëshirën për të qenë pjesë e garës? Nëse do t’ju mbështesin për këtë gjë?

Presidenti Nishani: Jolldiz, faleminderit për pyetjen! Edhe kjo është një pyetje shumë e rëndësishme për mua, sepse më jep mundësinë që të davarisim disa keqinterpretime, të cilat bëhen shpesh herë në ambiente të ndryshme. Nuk ka qenë një dëshirë e imja e shprehur. Ka qenë një gatishmëri dhe unë besoj se ka një ndryshim në konotacion mes dëshirës dhe gatishmërisë. Bile dallues janë që gatishmëria ime ka qenë për të vijuar përmbushjen e detyrave kushtetuese bazuar në atë çka kam nisur në 2012-n, në atë çka kam fituar si eksperiencë dhe atë që sipas gjykimit tim, kam demonstruar në procesin e administrimit të Zyës së Presidentit të Republikës edhe gjatë një mandati të dytë që e njeh si të drejtë e si të mundshëm Kushtetuta e vendit. Pra ka qenë gatishmëria e plotë në këtë kontekst dhe me këto arsyetime që unë i përmenda pak më lart.

Procesi i zgjedhjes së Presidentit është në Parlament. Është i parashikuar nga ky Parlament me të drejtën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës përpara se të shpërndahet e të hyjënë zgjedhjet politike. Nëse unë do të kem propozim nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për të rikandiduar siç pata herën e parë, sepse vjen me ftesë dhe me propozim. Kam dëgjuar këtë artikulim edhe nga aktorë të rëndësishëm politikë të vendit që nuk është çështje dëshire, por është çështje propozimi. E vërtetë është! Është çështje propozimi. Dhe nëse do të ketë një propozim të tillë do ta gjykoj në kontekstin e realizimit, të arsyes dhe vullnetit politik. Dhe patjetër, nëse do të jetë i adresuar me qëllim për të marrë përgjegjësi politike, do të vijoj të mbetem me shprehjen e gatishmërisë.