Transmetuar më 19-03-2017, 17:18

Kryeministri Edi Rama në komunikimin direkt që pati para pak minutash përmes rrjetit social Facebook, shprehur qëndrimin e tij në lidhje me krizën politike që ka përfshirë vendin, pak muaj para zgjedhjeve që tashmë janë vënën në pikëpyetje.

Rama tha se është i gatshëm që të futet në dialog me opozitën duke theksuar se është gati të futet edhe në çadër për të biseduar me Bashën. 

“Unë jam i gatshëm të takohem me opozitën. Jemi gati për dialog për çdo ndërhyrje në kodin zgjedhor dhe për çdo ligj tjetër. Jemi të hapur edhe për çdo krijimin e çdo mekanizmi që PD do propozojë për standardin e zgjedhjeve demokratike”, - tha z.Rama në videomesazhin që gjeni më poshtë të plotë.

Kurse akuzoi opozitën se po përgatit braktisjen e zgjedhjeve. Duke u ndalur te ky argument Rama premtoi se nuk ka ndërmend të pranojë kërkesën e opozitës për qeveri teknike sikurse refuzon edhe shtyrjen e zgjedhjeve.

“Data e zgjedhjeve është e përcaktuar në Kushtetutë”, - tha kryeministri dhe shtoi: ““Çadra e ngritur në mes të bulevardit pret atë që nuk do të vijë ndonjëherë, sepse s’ka për të ardhur ndonjëherë lajmi që vetting-u s’do bëhet, s'ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, s'ka për të patur shtyrje të zgjedhjeve. Të vetmit që përfitojnë nga pritja e kotë janë thashethemexhinjtë të rreshtuar. Ata mbushin xhepat me para të zeza”, tha z. Rama.

Kryeministri siguroi se nuk është i lëkundur nga kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve. Pavarësisht ultimatumit të PD për mospjesëmarrje në zgjedhje, Rama theksoi se edhe pse kjo përbën një anomali të madhe zgjedhjet do zhvilloheshin edhe pa të. “Nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje të zgjedhjeve”, tha Rama, duke theksuar se PD kërkon të fusë vendin në krizë false politike. “Ajo kërkon të fusë vendin në krizë politike. S’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për qeveri teknike. S’ka për të ardhur oferta për shtyrje të zgjedhjeve”, u shpreh Rama.

Kryeministri më tej e komentoi kështu çadrën opozitare: “Një grup politikanësh që kërkojnë pushtet mblidhen te çadra. Po kështu janë një grup gjykatësish që nuk duan të ikë çadra, se kërkojnë të mbajnë peng drejtësinë. Të huaj jo dashamirës të këtij kombi, që nuk duan ta shohin Shqipërinë të bëjnë shtet. Kush ka hallin për një karrige parlamenti për vete, kush duket në çadër për të treguar se është akoma gjallë, e të tjerë për halle të tjera. Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjan. Çadra e ngritur në mes të bulevardit si kështjellë rëre, S’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri të teknike, as oferta për shtyrje të zgjedhjeve. Të vetmit e atyre që presin atë që nuk vjen kurrë nga pritja në çadër, janë thashethemexhinjtë. Kjo nuk është kriza e Shqipërisë, por një krizë e një partie politike që nuk vjen dot në pushtet. Kjo është kriza e një katundi të izoluar politik. Kanë kapur peng të vërtetën. Është kriza e gogol-makutëve në orvatjen për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është kriza e një elite politike të ngujuar në bulevardin e politikën, krejt të pavëmendshëm për shqetësimet e vërteta të popullit. Flasin për revolucion popullor pa popull”. /a.b/noa.al/