Transmetuar më 19-03-2017, 16:19

Kandidati presidencial i koalicionit qeverisës në Serbi, Aleksandër Vuçiç, dëshiron që gjatë fushatës zgjedhore të vizitojë Kosovën.

Ai madje ka deklaruar se këtë mund ta bëjë edhe pa lejen e Qeverisë së Kosovës, por mendon se “nuk do të kishte kuptim” dhe nuk dëshiron që të “nxisë probleme për serbët” e Kosovës, shkruajnë mediat kosovare të cilat citojnë agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”.

Deklaratat e tij, Vuçiq i bëri gjatë përurimit të stadiumit në Novi Pazar, duke theksuar se “në Kosovë mund të hyjë përmes vendkalimeve alternative”.

Duke folur për dialogun me Kosovën, Vuçiq ka thënë se Beogradi dëshiron që ai proces të vazhdojë, por “pala tjetër kërkon arsye dhe justifikim që kjo të mos ndodhë”.

Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është kthyer sërish çështjes së Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se nuk e kupton pse “presidenti i Kosovës insiston dhe i ngutet kaq shumë për formimin e të ashtuquajturës ushtri”.

Në pyetjen se a pret ndihmë nga BE-ja rreth tentativës së Kosovës që t’i regjistrojë në pronësi të Kosovës pronat e paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, Vuçiç tha se kjo nuk është çështje e ndihmës por “është koha që edhe BE-ja të sqarojë nëse ka diçka të vërtetë apo jo, rrjedhimisht nëse dikush e ka shkelur marrëveshjen apo jo”.